Ministria e Infrastrukturës (MI) përmes një komunikate për media ka reaguar në lidhje me raportin e fundit të auditorit të jashtëm, ku thuhej se një zyrtar i Ministrisë së Infrastrukturës po merr pagë pa dalë fare në punë.
Reagimi plotë i MI-së:
Ministri Lekaj, për opinionin publik sqaron se, kjo nuk ka të bëjë asgjë me mosangazhim dhe me mosmbikëqyrje të Ministrisë, por të njëjtit, për të cilët bëhet fjalë janë të angazhuar sipas marrëveshjes së vitit 2016, e nënshkruar në Bruksel, për shuarjen e strukturave paralele “Rojave të Urës” dhe integrimin e tyre në jetën institucionale të Republikës së Kosovës, gjë që ka ndodhur bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës, Nr.06/124, datës 19/04/2017, në të cilin vendim thuhet shprehimisht: “Aprovohet kërkesa e Zyres së Kryeministrit – Ministres pa portofol 1, për transferin e stafit prej 50 (pesëdhjetë) zyrtarëve, si dhe mjeteve financiare, për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile” dhe integrimin e personelit të saj në institucionet civile të Republikës së Kosovës.
Lekaj është duke i shqyrtuar të gjitha mundësitë ligjore që i ka në kompetencën e tij për të anuluar ketë vendim ose për të gjetur zgjidhje alternative, e cila do të bënte që të njëjtit të angazhohen konform kontratës që kanë nënshkruar me Ministrinë e Infrastrukturës, ashtu siç janë konfrom vendimit të lartcekur edhe thuajse të gjitha Ministritë tjera të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në kohën kur kanë ndodhur këto, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë se Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), ka qenë, Besnik Osmani që sot është Drejtor i Zyrës Kombëtare të Auditorit, kjo tregon që ndoshta, përveç atyre që e kanë nënshkruar ketë marrëveshje në Bruksel, më së miri e ka kuptuar Osmani ketë çështje dhe prandaj nuk është dashtë të dalë si çështje e keqmenaxhimit, por si një çështje me elemente politike për integrimin e komuniteteve brenda institucioneve të vendit.
Lekaj i bën me dije opinionit të gjerë publik, se nuk do të lejojë që këto dukuri të vazhdojnë kështu si kanë qenë, por do të ndërmerren hapa të nevojshëm që të gjithë ata që marrin paga nga Buxheti i Shtetit të jenë në krye të detyrës.