Mickovski: Këmbëngulim në zgjedhje dhe qeveri teknike

Prishtinë | 13 Kor 2019 | 17:45 | Nga Ekonomia Online

Lideri i i partisë opozitare në Maqedoninë e Veriut,  VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski këmbëngul në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe Qeveri teknike.

Mickovski në një intervistë për Alsat thotë se do të shqyrtojë të gjitha format për të ushtruar presion për të çuar vendin në zgjedhje të reja.

Ai flet edhe për bashkëpunimin me partitë politike shqiptare. Mickovski gjithashtu thotë se nëse do të ketë 80 deputetë do të shkojë një hap prapa dhe do të kthejë kushtetutën atje ku ishte para Marrëveshjes së Prespës.

Intervista e plotë:

Për të fituar zgjedhje të reja parlamentare, do të dërgoni vetëm mesazhe dhe do mbani vetëm konferenca për shtyp, apo do të veproni konkretisht? Protesta? Masa më radikale?

Situata nuk do të jetë edhe gjatë kështu. Do të humbasë edhe një shans për Republikën e Maqedonisë. Shansi i humbur sjell zhgënjim të mëtejshëm tek qytetarët e Republikës së Maqedonisë dhe zhgënjimi shtesë ka dhe pasoja të tjera.

Pra nuk e hidhni poshtë mundësinë për protesta?

As që bëhet fjalë. Absolutisht, gjithmonë protesta të qeta, gjithmonë organizim të protestave të qeta janë opsion për cilëndo opozitë, përfshi dhe për VMRO-DPMNE-në dhe opozitën në Maqedoni. Pa dallim nëse në atë opozitë do të jetë vetëm VMRO-DPMNE, ose partitë e tjera opozitare. Pse të mos jenë dhe partitë opozitare nga blloku shqiptar të jenë të pranishëm në ato protesta.

Si i keni marrëdhëniet me partitë politike shqiptare? Si lider i opozitës a jeni takuar me ndonjë prej tyre.

Po. Kemi takime, bisedojmë, shqetësimi është i pranishëm, si në njërin ashtu dhe në bllokun tjetër. Ndajmë të njëjtin problem. I njëjti problem quhet Qeveria momentale në Maqedoni. Kuptohet se komunikojmë.

Me BDI-në?

Dhe me BDI-në kemi komunikim. Në kuadër të Parlamentit, grupet parlamentare komunikojmë. Unë kam komunikim me z. Ali Ahmeti.

Mickovski, në Greqi pothuajse një javë ka qeveri tjetër nën drejtimin e z. Micotakis, i cili njësoj si ju dhe partia juaj e kritikonit Marrëveshjen e Prespës. A e uruat? Dhe ndoshta mos ka njoftim për ndonjë takim me z. Micotakis? Dhe si do veprojë VMRO-DPMNE kundrejt Marrëveshjes së Prespës nëse vjen në pushtet?

VMRO-DPMNE disa herë, qindra herë në të kaluarën e ka thënë qëndrimin për Marrëveshjen e Prespës. Ai qëndrim ishte i pastër dhe këtu nuk ka asnjë dilemë se dhe ajo është e motivuar nga ndjenjat autoktone të maqedonasve drejt shtetit dhe kombit të tij. Ndërsa tek fqinj ynë jugor, mendoj se është motivuar nga motive politike dhe është ndryshe. Ne thamë se kjo është një marrëveshje kapitulluese dhe kjo marrëveshje prek direkt në veçantinë e popullit maqedonas, kombit maqedonas dhe shtetit maqedonas. Dhe këtu nuk ka, absolutisht nuk ka asnjë dilemë. Por njëkohësisht, duhet të përmendim faktin se për të ndodhur një hap mbrapa, në mënyrë të drejtë, ligjore, është ajo për të cilën VMRO-DPMNE lufton, angazhohet dhe do të angazhohet. Ne kemi nevojë për 80 deputetë në Parlament dhe kushti Badenter. Çdo gjë që është jashtë kësaj, do të jetë një gënjeshtër e zakonshme, konstruksion dhe përpjekje për manipulim, përsëri të të njëjtit emocion dhe atyre ndjenjave të qytetarëve tanë, që një herë janë lënduar nga ana e kësaj qeverie të shantazhuar, të korruptuar dhe të shtypur.

Thatë se për hap mbrapa na duhen 80 deputetë.

Nëse duam t’i kthejmë ndryshimet kushtetuese mbrapa, neve na duhen 80…

Çfarë nëse VMRO në zgjedhjet e ardhshme do të fitojë këtë shumicë…?

Nëse do të kemi 80 deputetë dhe nëse është përmbushur kushti Badenter ne do bëjmë një hap mbrapa dhe do t’i kthejmë ndryshimet kushtetuese.

Momentalisht janë bllokuar dhe negociatat për Ligjin për Prokurorinë Publike dhe nuk jeni optimistë se deri në shtator do të arrihet marrëveshje.

Nuk ka ambient në shtet që momentalisht të funksionojë dialogu politik ndërmjet opozitës dhe pushtetit. VMRO-DPMNE nëpërmjet kanaleve të saj qëkur nuk hasi në pritshmëri pozitive nga ana e Qeverisë për ofertën që të punojmë bashkë në mënjanimin e të gjitha pengesave për të fituar datë për negociata në tetor, VMRO-DPMNE nëpërmjet kanaleve të saja, në mesin e partive simotra do të vazhdojë me lobimin, ashtu siç e ka bërë deri tani, në mënyrë shtetërore, jo siç e ka bërë LSDM-ja kur ishte opozitë, kur ngjyroste, shkatërronte, lyente me bojë dhe spiunonte në mbarë botën duke shkruar letra, por në mënyrë legjitime, në bisedë me partitë tona simotra, me faktin se kjo qeveri kriminele, e shantazhuar dhe korruptuar nuk meriton datë, por mos i dënoni qytetarët e R. Maqedonisë. Dhe ne do të vazhdojmë të punojmë. Por në këtë moment, në këto kushte, kështu siç janë, nën përndjekje politike, nën terror politik, akuza të montuara nga gjyqësori Ruskoska, dënime të porositura nga gjykata Kacarska, përndjekja që i bëhet VMRO-DPMNE-së ndaj funksionarëve të tanishëm dhe të mëparshëm, ndaj tyre dhe familjeve të tyre, thjesht nuk ka ambient. Në tavolinë tani nuk është vetëm Ligji për Prokurorinë Publike, tani në tavolinë duhet të gjendet tema kur zgjedhje të parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë./alsat m/

Të ngjashme