Microsoft ka paralajmëruar se disa hakerë të lidhur me qeverinë e Rusisë, synuan të nisin sulme kibernetike ndaj senatit amerikan.
Korporata ka paralajmëruar se Moska është duke i intensifikuar sulmet kibernetike përpara zgjedhjeve të nëntorit në kongres.
Kompania më e madhe e softuerit ka marrë nën kontroll gjashtë fusha të internetit që hakerët rus i kishin krijuar për t’i imituar disa faqe që i përkasin Senatit dhe grupeve të ekspertëve amerikanë.
“Ne jemi të shqetësuar se këto përpjekje rrezikojnë sigurinë e grupeve që janë të lidhura me dy partitë më të mëdha amerikane në prag të zgjedhjeve të vitit 2018”, ka deklaruar presidenti i Microsoftit, Brad Smith.
Moska ka hedhur poshtë akuzat e gjigantit softuerik dhe ka thënë se kjo e fundit nuk ka prova për t’i mbështetur ato.