Gjiganti i teknologjisë Microsoft, ka njoftuar se ka siguruar një vit fiskal rekord.
Shefi ekzekutiv i Microsoft, Satya Nadella, këtë ia atribuoi partneritetit të ngushtë me kompanitë lider në çdo industri dhe kontratave shumëvjeçare për shërbimet cloud ruajtja online e të dhënave.
Sipas raportit të fundit financiar, përcjell Telegrafi, kompania gjeneroi 33.7 miliardë dollarë të ardhura tre mujorin e kaluar, 12 për qind më shumë sesa vitin e kaluar. Për vitin fiskal që u mbyll në muajin qershor, Microsoft gjeneroi 125.8 miliardë dollarë të ardhura, një rritje me 14 për qind krahasuar me një vit më parë.
Siç po ndodh me çdo tre mujor, edhe këtë periudhë të fundit, kompania shikoi rritjen e shërbimit cloud me 19 për qind apo 11.4 miliardë dollarë të ardhura. Pjesa e produktivitetit u rrit me 14 për qind, ndërsa pjesa e kompjuterëve personal me 4 për qind apo 11.3 miliardë dollarë.
I vetmi sektor me rënie është ai i lojërave Xbox me 10 për qind dhe softuerit dhe shërbimit Xbox me 3 për qind.