Emërimi i Drejtorit të AKI’së dhe Inspektorit të Përgjithshëm nga qeveria në ikje po konsiderohet vendim i jashtëligjshëm nga ana e juristëve. Ehat Miftaraj, nga IKD, deklaron se Qeveria në ikje nuk ka legjitimitet që të bëjë këto emërime dhe se Gashi e Ramadani janë militantë partiakë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar sot se bashkë me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, kanë emëruar në pozitën e kreut të AKI-së, Kreshnik Gashin, ndërsa Burim Ramadanin në postin e Inspektorit të Përgjithshëm në AKI.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se Qeveria në ikje nuk ka legjitimitet në emërimin e Drejtorit të AKI’së dhe Inspektorit të Përgjithshëm.
“Ligji për AKI-në përcakton në mënyrë të qartë se Drejtori i AKI-së për punën e tij do t’i përgjigjet drejtpërdrejt Kryeministrit të vendit. E kur kësaj i shtohet fakti se gjatë këtyre ditëve apo javëve pritet ceritifkimi i zgjedhjeve, konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe formimi i Qeverisë së re, më një Kryeministër që nuk do të jetë z Haradinaj, emërimet e sotme i bën jo legjitime dhe pa pikë integriteti dhe kredibilteti”, ka thënë Miftaraj.
Miftaraj ka përmendur edhe faktin se të dy të emëruarit vijnë nga politika.
“Për më tepër, personat e emëruar sot kanë një të emërues të përbashkët, të dy janë militantë politik që vinë nga radhët e PDK-së dhe AAK-së. Fatkeqësisht, kjo qeveri në ikje nuk ka të ndalur me skandale dhe emërime politike në institucione të rëndësisë së veçantë për sigurinë e Republikës së Kosovës”, ka thënë Miftaraj , raporton Gazeta Express.