Ehat Miftaraj, nga IKD-ja, ka thënë se Kuvendi i Kosovës nuk duhet të procesojë në asnjë rrethanë votimin e Qeverisë së re pa marrë një mendim, një opinion nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas tij nëse procesohet votimi për Qeverinë e re atëherë është në kundërshtim të plotë me praktikat e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese.
“Nëse marrim për bazë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese e vetmja mënyrë që një marrëveshje e tillë të procedojë tutje do të ishte nëse partia fituese, Vetëvendosje, do të kishte hequr dorë në mënyrë vullnetare nga e drejta për të propozuar mandatarin, ose nëse mandatari i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje nuk do të kishte marrë votat e nevojshme për të formuar Qeverinë. Kjo ende nuk ka ndodhur, kështu që presidenti ka kaluar drejtpërdrejt të partia e dytë, që për mendimin tim është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, dhe me praktikën e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Miftaraj në emisionin Desku në KTV.
Ai është i bindur se është duke u bërë shkelje e nenit të 95 të Kushtetutës.
“Ne jemi në një situatë ku nëse do të kemi një votim të Qeverisë nga LDK-ja dhe nëse do të kemi ankesë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me ligjshmërinë e vendimeve, çoftë të presidentit çoftë të partive që kanë lidhur këtë koalicion, jam i sigurt se Gjykata Kushtetuese do të konstatonte se kemi të bëjmë me shkeljen e nenit 95 por edhe të praktikës së ndërtuar nga Gjykata Kushtetuese”, ka deklaruar Miftaraj.
Ai thekson se Kuvendi apo deputetët duhet të kërkojnë një opinion nga Gjykata Kushtetuese, para se të përfundojë ky proces.
“Për t’iu ikur çdo lloj precedenti, në momentin që propozohet mandatari për kryeministër nga LDK-ja, çoftë Lëvizja Vetëvendosje çoftë deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të dërgojnë menjëherë për të vlerësuar ligjshmërinë e këtij procesi. Kuvendi i Kosovës sipas mendimit tim nuk duhet të procesojë në asnjë rrethanë votimin e Qeverisë së re pa marrë një mendim, një opinion nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës nëse është respektuar procedura lidhur me mandatimin dhe formimin e Qeverisë nga partia e dytë, LDK-ja, me ato që ka lidhur koalicion”, ka thënë Miftaraj.
Sipas tij po krijohet një precedent shumë i rrezikshëm që mund ta rrënojë rendin juridik dhe kushtetues në Kosovë.
në këtë mënyrë mund të tejkalojmë ose të parandalojmë një situatë të kemi një Qeveri, që më vonë të kemi një të tillë antikushtetuese dhe Kosova të mbetet edhe pa Qeverinë Kurti e edhe pa atë të LDK-së. Jemi duke ndërtuar një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm. Nuk mund të procedohet në formimin e Qeverisë së re pa pasur një mendim të Kushtetueses në mënyrë që të sigurohemi nëse është duke u zbatuar saktë neni 95 i Kushtetutës. Mendoj se kjo mund të rrënojë rendin juridik e Kushtetues në Kosovë që është ndërtuar që nga Pavarësia”, ka thënë Miftaraj.