Pasi Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, dënoi veprimet e Kosovës në veri, ka nxitur reagime, kryesisht të përkrahësve të Qeverisë Kurti.
Juristi Ehat Miftaraj, që përcjell zhvillimet politike në vend, ka shkruar se nuk është faji i ambasadorit amerikan, për reagimin që e pati sot.
“Ja filluan talentat me i tregu ambasadorit amerikan çka me fol. Tallava qeveria i ka fajet! Ska faj ambasadori amerikan”, ka shkruar Miftaraj.
Ambasada e SHBA-së në Kosovë i ka dënuar veprimet e autoriteteve të shtetit të Kosovës për t’i futur kryetarët e rinj në objektet e komunave.
Në një reagim në profilin e ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, thuhet se “masat e dhunshme” duhet të ndërpriten menjëherë.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet që po vazhdojnë nga autoritetet kosovare për të hyrë në objektet e komunave në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndalen menjëherë”, ka shkruar Hovenier.
Turma njerëzish janë mbledhur para objekteve të komunave veriore, pasi nëpër këto qytete janë dëgjuar sirena.
Policia e Kosova ka mundësuar hyrjen e kryetarëve të rinj në objektet e komunave në Zveçan, Zubin Potok e më pas edhe në Leposaviq.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë lënduar pesë policë, ndërsa nga Spitali i Mitrovicës Veriore kanë thënë se nuk dihet numri i saktë i qytetarëve të lënduar, por të gjithë kanë pasur lëndime të lehta dhe asnjë s’ka pasur nevojë për t’u trajtuar më tutje në spital.