Miftaraj: Propozimi i Qeverisë për rritje page, shkatërron parimin e vendosur në ligj

Prishtinë | 30 Tet 2024 | 14:56 | Nga Ekonomia Online

Drejtori ekzekutiv i Institut të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se vendimi i fundit i Qeverisë për rritje page, shkatërron parimin e vendosur në nenin 42 të Ligjit të Pagave.

Sipas Miftarajt, ky ligj është miratuar përmes një procesi të gjatë të konsultimeve publike dhe se qëllimi bazë i këtij ligji ishte edhe mbyllja e mundësive që pagat në sektorin publik të keqpërdoren për fushata elektorale.

Sipas ligjit për Paga, Ligjit për Ndarjet Buxhetore dhe Ligjin për Buxhetin, pagat në sektorin publik nuk mund të jenë më pjesë e vendimeve të qeverisë por ndërlidhen me shkallën e zhvillimit ekonomik.

“Miratimi i ligjit të pagave kishte kaluar përmes një procesi të gjatë të konsultimeve publike dhe qëllimi bazë i këtij ligji ndër të tjera ishte edhe mbyllja e mundësive që pagat në sektorin publik të keqpërdoren për fushata elektorale. Mu për këtë arsye ishte vendosur edhe neni 42 i Ligjit i cili e kufizon mundësinë e qeverisë apo partive në pushtet që të ndryshojnë strukturën, komponentët apo nivelin e koeficienteve tanimë të përcaktuar në katalogun që është pjesë e ligjit”, ka shkruar Miftaraj.

“Dhe propozimi i qeverisë është një vendim që shkatërron parimin e vendosur në nenin 42, duke mbi vendosur strukturë të re, duke ndryshuar komponentën dhe nivelizimin e përcaktuar në këtë nen dhe katalogun e koeficienteve, dhe jo duke e përcaktuar vlerën e koeficientit, ashtu siç thot Ligji. Për më tepër, ky propozim është një propozim i njëanshëm, të cilit nuk i ka paraprirë dialogu social si dhe është një propozim jo transparent”, ka shkruar ndër të tjerash Miftaraj.

“Në bazë të ligjit për Paga, Ligjit për Ndarjet Buxhetore dhe Ligjin për Buxhetin pagat në sektorin publik nuk mund të jenë më pjesë e vendimeve të qeverisë por ndërlidhen me shkallën e zhvillimit ekonomik, kështu që veprimet e qeverisë janë të kundërligjshme dhe me këtë edhe keqpërdorim i autoritetit për përfitime elektorale”.

Të ngjashme