Raporti i Departamentit Amerikan për Kosovën shpërfaq problemet me të cilat ballafaqohet Kosova dhe po ashtu mungesën e vullnetit politik gjatë vitit 2020 për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, ka thënë Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, raporton Ekonomia Online.
Miftaraj thotë se raportet e publikuara nga Departamenti Amerikan por dhe ato nga BE-ja nuk po merren seriozisht.
“Nëse marrim për bazë këtë raport që është publikuar shpërfaqë edhe një herë problemet sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova, po ashtu shpërfaq edhe mungesën e vullnetit politik në vitin 2020 për të adresuar çështje të cilat do të ndikonin në përmirësimin e luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit apo promovimit të drejtave dhe lirive të njeriut. Këto raporte të cilat e pasqyrojnë këtë realitet nuk është se janë marrë dhe as s’po shihet se do të merren seriozisht as nga Qeveria aktuale, ka thënë ai.
Në raportin e DASh-it, një ndër pikat përmendet numri i lartë i zyrtarëve të akuzuar për vepra penale e korruptive të cilët mbajnë poste publike.
E sipas Miftaraj i mbetet Qeverisë Kurti që të ndryshoj qasje dhe nëse një gjë e tillë nuk ndryshon raporti për vitin 2021 do të jetë i njëjtë.
Një ndër pikat kritike në këtë raport përmendet numri i madh i zyrtarëve publik të akuzuar për vepra penale korruptive kanë mbajtur pozita të rëndësishme në administratën publike, në nivel të Kuvendit, Qeverisë e të tjerë.
“Nëse s’do të ketë reflektim nga ana e kësaj Qeverie dhe legjislature sigurisht që edhe raporti për vitin 2021 që do të publikohet në vitin e ardhshëm do ta ketë pothuajse të njëjtë përmbajtje sa i përket vullnetit politik. Do të varet nga Qeveria Kurti nëse do ta ndërroj qasjen apo do të vazhdojë me qasjen që kanë pasur qeveritë e kaluara”, tha ai.
Raporti amerikan përmend edhe shuarjen e Task Forcës Anti-Korrupsion në kuadër të Policisë së Kosovës dhe arrestimit e kryetarit të Istogut, Haki Rugova. Po ashtu aty përmendet edhe reagimi i ish-kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa i cili arrestimin e bashkëpariakut e kishte cilësuar me motive politike.