Diar Miftaraj ka pasur disa mundësi që karrierën ta vazhdojë jashtë kufijve të Kosovës. Të paktën ka mundur të kalojë në Shqipëri apo Maqedoni të Veriut. Por Miftaraj kishte vendosur të bënte karrierë si futbollist vetëm në Kosovë.
Ai megjithatë shpejt mund ta lërë Kosovën e me shumë gjasë edhe karrierën si futbollist profesionist. Miftaraj, që të hënën u prezantua si lojtar i Ballkanit të Suharekës, është në pritje të vizës së Zvicrës për bashkim familjar. Refuzimi i vizës sa ishte pjesë e Drenicës e kishte mërzitur goxha shumë Miftarajn. Futbollisti nga Peja vazhdoi të luante futboll në Superligë, sport që e ka nisur qysh i vogël. Ishte madje ndër më të dalluarit te Drenica.
“Kam pasur mundësitë e mia të transferohem edhe jashtë Kosovës. Ka pasur klube të interesuara nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, por nuk kam qenë i interesuar të largohem nga Kosova, kam dashur ta vazhdoj këtu karrierën. Së ardhmes nuk i dihet, por synimi im është që të kemi sukses me Ballkanin. Kam qenë duke e pritur një vizë për bashkim familjar, por për shkak të një gabimi që ka ndodhur nuk kam mundur ta marr. Tash po pres e shpresoj që ta marr deri në verë. Nuk do të thotë që nuk do të vazhdoj edhe atje, por të shohim”, ka thënë Miftaraj të martën për KOHËN.
Miftaraj 30-vjeçar është zhvilluar si futbollist te Besa e Pejës. Nga Besa u largua në qershor të vitit 2017 për t’iu bashkuar Prishtinës. Te Prishtina ishte prej më të dalluarve.
“Nga Besa u largova për shkak të kushteve, derisa u transferova në një klub të madh siç është Prishtina”, ka theksuar Miftaraj.
Te Prishtina luajti për tre vjet. Me skuadrën “bardhekaltër” ka fituar dy Kupa të Kosovës dhe dy herë ka qenë në garë për titull të kampionit. Së fundi, kur Prishtina drejtohej nga Armend Dallku, Miftaraj luajti si qendërmbrojtës. Një gjë të tillë thotë se do ta pranonte edhe te Ballkani. Miftaraj për Drenicën luajti në pjesën e parë të këtij edicioni.
“Te Prishtina, në kohën sa ishte trajner Armend Dallku, kam luajtur qendërmbrojtës. Ishte vendim i trajnerit të cilin e pata respektuar, por unë preferoj të luaj si mesfushor, pozitë në të cilën edhe e kam nisur karrierën. Për klub jam i gatshëm ta bëj sakrificën në çdo pozitë që më kërkohet të luaj”, është shprehur ai.
Miftaraj ka gëzuar respekt në të gjitha klubet ku ka luajtur. Edhe vetë thotë se është i kënaqur me karrierën që ka bërë deri tash.
“Kam mundur edhe më mirë, por mendoj që deri tash karriera më ka shkuar shumë mirë, kam luajtur te skuadra të mëdha siç është Besa e pastaj Prishtina dhe tash Ballkani. Edhe te Drenica kam kaluar goxha mirë për gjashtë muaj. Te Prishtina i kam luajtur 90 për qind të ndeshjeve. Ka shkuar gjithçka mirë, kam fituar dy Kupa dhe dy herë kemi qenë në garë për titull. Mendoj se kemi merituar ta fitojmë një titull, por shpresoj që tash ta arrij me Ballkanin”, shprehet Miftaraj.
Ai thotë se kalimi te Ballkani është një hap tjetër i mirë në karrierë.
“Është një hap i rëndësishëm për mua dhe besoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë. Interesimi nga klubi i Ballkanit ka qenë i madh që prej verës e po ashtu edhe tash dhe pa asnjë hezitim vendosa t’i bashkohem projektit të Ballkanit. Kushtet dhe organizimi i mirë te Ballkani më kanë bindur që t’i bashkohem”, ka deklaruar ai.
Ballkani në pjesën vjeshtore u drejtua nga trajneri Ismet Munishi, derisa në pranverë do të drejtohet nga Bledi Shkëmbi. Nën drejtimin e Munishit, Ballkani përfundoi në vendin e dytë me 38 pikë, tri më pak se liderja Drita. Miftaraj shpreson që me Ballkanin ta fitojë titullin që nuk e arriti me Prishtinën.
“Kam marrë fjalë të mëdha për ambientin, e njoh mirë atë rreth, sepse shumë lojtar i kam pasur në të kaluarën bashkëlojtarë. Mendoj se kemi një ekip shumë të mirë dhe me Ballkanin kemi mundësi të luftojmë për kreun e tabelës dhe do ta ndjekim garën e Kupës deri në fund”, ka thënë Miftaraj.