Qindra emigrantë janë transportuar me autobusë në Bosnjë, derisa po presin që të vendosen në një tjetër lokacion pas djegies së kampit në Lipa.
Më shumë se 1.400 emigrantë mbetën pa strehë javën e kaluar, kur u dogj kampi më i madh në ish-republikën jugosllave. Kampi, në afërsi të Bihaçit, në rajonin e Krajinës në kufi me Kroacinë, edhe ashtu ishte vlerësuar nga zyrtarët ndërkombëtarë dhe organizatat humanitare se nuk i përmbushte as nevojat elementare për refugjatët dhe emigrantët nga Azia dhe Afrika Veriore.
Emigrantët qëndruan disa ditë në qiell të hapur pas djegies së tendave. Nuk kishin ngrohje e qendra strehimi. U ndaheshin vetëm shujta të ushqimit të thatë nga organizatat bamirëse. Dhe derisa ka nisur të bjerë borë në shtetin ballkanik, zyrtarët e Bosnjës i kanë mbushur 20 autobusë me emigrantë të Lipës. Ata do të qëndrojnë në autobusë derisa t’u gjendet një lokacion. Autoritetet vendase kanë bërë të ditur se Krajina ka bllokuar përpjekjet e qeverisë qendrore për strehimin e emigrantëve në një strehimore ekzistuese në Bihaç.