Njëmbëdhjetë autobusë kanë arritur të martën pranë kampit Lipa, afër Bihaqit, në veriperëndim të Bosnje e Hercegovinës, për transportimin e migrantëve në një vend të ri, konfirmoi për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë Ministria e Brendshme e Kantonit Una-Sana.
Ministri i Sigurisë i Bosnje dhe Herzegovinës, Sellmo Cikotiq, tha se migrantët që mbetën pa strehim pas zjarrit në kampin Lipa, do të vendosen përkohësisht në vendin e një ish-strukture ushtarake në Bradina.
Më 23 dhjetor, përfaqësues të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) janë tërhequr nga kampi i përkohshëm i migrantëve Lipa dhe kanë ndërprerë ndihmën në këtë kamp.
Në të njëjtën ditë, një nga çadrat është përfshirë nga zjarri dhe pjesa më e madhe e kampit është shkatërruar.
Pas tërheqjes së IOM-it, strehimi alternativ për migrantët nga kampi Lipa nuk është siguruar.
Kriza e migrantëve në kantonin Una-Sana është komplikuar, sepse qeveria kantonale ka hequr dorë nga marrëveshja për transferimin e migrantëve nga kampi Lipa në kampin Bira, ka thënë më herët Cikotiq.
Përveç rreth 800 migrantëve në vendin e ish-kampit Lipa, vlerësohet se në këtë zonë janë edhe rreth 2,000 njerëz në ndërtesa të braktisura dhe kampe të improvizuara.
Në një deklaratë të nënshkruar nga Këshilli Danez i Refugjatëve, IOM, Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR), si dhe organizatat Save the Children dhe Mjekët Pa Kufij, autoriteteve të Bosnjës u është bërë thirrje që të reagojnë me urgjencë, sepse, siç është thënë, ata që kanë mbetur në vendin e kampit, “janë në rrezik të menjëhershëm kur bëhet fjalë për sigurinë, shëndetin dhe mbrojtjen”.
Në Bosnje ndodhen mijëra migrantë, kryesisht të ikur nga luftërat në Lindjen e Mesme.
Migrantët që synojnë të arrijnë në Evropë, shpesh hyjnë në Bosnje përpara se të kalojnë në Kroaci – vend anëtar i Bashkimit Evropian – dhe të vazhdojnë më pas më në perëndim.