Opozita dhe pozita kanë filluar të polemizojnë rreth migrimit të theksuar kohëve të fundit, por t’i shohim disa fakte:
- Migrimi jashtë vendit po ndodhë tashmë me vite dhe dekada, nuk është një temë për polarizim për shkak se iu ndodhë të gjitha qeverive. Ju kujtohen fatkeqësitë humanitare nëpër lumenj të Hungarisë, vite më parë? Ne mund të mbesin me 1.2 milion qytetarë rezidentë pas 2030-ës dhe duhet të shohim si të adaptojmë ekonominë dhe politikat zhvillimore në këtë scenario;
- Migrimi është një fenomen global, por edhe rajonal. Ballkani po vazhdon mos të ofrojë stabilitet politik shumë të nevojshme për investime ekonomike, si pasojë nuk po arrijmë të avancojmë më shpejt drejt BE-së dhe të merremi me politika ekonomike. Po migrojnë gjithashtu edhe portugezët e spanjollët në pjesë të tjera të Europës, por edhe një nivel i lartë i manaxherëve (CEOs) nga Europa në SHBA;
- Nuk do ndalet migrimi, ne duhet të përshtatemi. Popullata e Europës po plaket. Sistemi i pensioneve duhet të reformohet atje, tregu i punës do vazhdojë të ketë nevojë për fuqi punëtore edhe një kohë të gjatë;
- Mos gjykoni: çfarë ju kemi ofruar njerëzve të rrinë këtu? Jo shumë. Kemi një ekonomi bazike të vogël me më pak se €10 miliardë BPV/GDP dhe kushte jo atraktive për biznesbërje. Rrjedhimisht një treg të punës që nuk është i akorduar me nevojat e tregut. Ata që largohen kanë edhe arsye edhe të drejtë. Mbi të gjitha, po largohen legalisht me viza pune, ky është një ndryshim pozitiv krahasuar me migrimin ilegal më herët (që nëse kishte vazhduar, nuk kishim pasur vendimin për liberalizim të vizave);
- Pasiqë nuk kemi arritur për momentin të krijojmë ekonomi më të madhe dhe funksionale, duhet të shohim si të adaptohemi dhe përfitojmë nga situata, se kjo mund të zgjasë se paku deri vitet 2030;
- Efektet e migrimit do jenë dy llojësh: (a) afatëshkurtra me efekt negativ në tregun e punës dhe biznese. Do i rrisin çmimet për shkak se kërkesa do të rritet krahasim me ofertën në tregun e punës dhe kjo do rrisë koston e shërbimeve dhe të prodhimit. Do të ulet papunësia!
(b) Efektet afatmesme dhe afatgjata do jenë pozitive. Migrantët e sotëm mund të jenë investitorët e ardhshëm. Ata do përvetësojnë shkathtësi dhe do grumbullojnë kapital financiar.
- Këto dy resurse, ose një pjesë të tyre mund ta investojnë në Kosovë. Shihni si remitancat nga diaspora e kanë shpëtuar Kosovën nga bankroti qe dy dekada. Si dhe kush mendoni se e financon deficitin tregtar afër 5 miliardë Euro në vit? Ato mjetet nuk pikin nga qielli, janë diaspora që e mbulon pjesën absolute të tyre;
- Qarkullimi i punëtorëve. Politikat tona duhet të tentojnë, as të ndalin as stimulojnë migrimin, ne duhet të shohim si mund këta persona t’i qarkullojmë brenda dhe jashtë Kosovës. Me fjalë tjera, si të eksportojmë punëtorë dhe këta të na kthehen si investitorë vitet e ardhshme. Të lëvizin në Kosovë dhe jashtë, por ekonomia jonë të përfitojë nga ta;
- Solucioni? A kemi ndonjë zgjidhje në dispozicion? Ndoshta zhvillimi dhe investimet e thella dhe gjëra në sektorin në ICT outsourcing në Kosovë mund të zbusin migrimin. Pse? Për shkak se sektori është në rritje dhe ka një potencial të theksuar. Tregu dhe kërkesa është globale. Pagat janë të mira. Paga si në Gjermani, ndërsa shpenzimet e jetës si në Kosovë. Një jetë afër familjeve dhe shoqërisë.
- Me gjasë ne nuk duhet të polarizojmë, por duhet të shohim si të bëjmë më të mirën nga situata. Sidomos politikanët nuk duhet të tentojnë të përfitojnë për shkak se politikat e tyre janë shkaktare të migrimit. Në duhet t’i kuptojmë këtë shtresë, të ju ndihmojmë atyre dhe vetes, t’i përkrahim e kuptojmë. Migrimin nuk mund të kontrollohet me fjalë. Ne kemi një detyrë, të shohim si të transformojmë migrantët e sotëm në investitorë të ardhshëm, përderisa ndërkohë mund të investojmë dhe zhvillojmë në sektorin e ICT-së që të përfitojmë nga momentumi dhe situata.