Mijaçiq: Serbia është zotuar se s’do ta bllokojë Kosovën në anëtarësime, Asociacioni duhet të bëhet

Prishtinë | 04 Dhj 2025 | 11:09 | Nga Ekonomia Online

Koordinatori i Serbisë për Kapitullin 35 të Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian, Dragisha Mijaçiq, thotë se drafti i konkluzioneve të Këshillit të Ministrave të BE-së për politikën e zgjerimit tregon se nga Kosova me shumë gjasë do të kërkohet formimi urgjent i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është obligim nga viti 2013.

“Bëhet fjalë për një draft dokumenti, por formimi i AKS-së me siguri do të jetë në ndonjërën nga formulimet e dokumentit të miratuar. Në këtë kuptim, ekziston presion i BE-së. Prishtina nuk mund t’i ikë kësaj dhe sa më shumë të vonojë, aq më shumë probleme do të ketë në planin ndërkombëtar dhe do ta çojë veten në situatë që të mos jetë më partner kredibil në bisedime”, thotë Mijaçiq për transmetuesin publik serb, transmeton Klankosova.tv.

I pyetur se si e komenton pjesën e draftit ku nënkuptohet se Serbia duhet të përmbahet nga kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, Mijaçiq thotë se bëhet fjalë për një obligim që Serbia e ka pranuar tashmë me marrëveshjen e vitit 2023.

“Qeveria e Serbisë është zotuar se nuk do ta bllokojë Kosovën në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ka thënë se Beogradi ka ‘vija të kuqe’. Disi ato vijat e kuqe të Serbisë janë të paqëndrueshme dhe vazhdimisht lëvizin. Është bërë e qartë se nuk ka anëtarësim për Kosovën në Kombet e Bashkuara, por Beogradi tashmë ka pranuar disa dokumente dhe simbole zyrtare, si letërnjoftimet dhe targat”, thekson Mijaçiq.

Ai shpjegon se çështja është e thjeshtë dhe se gjithçka harmonizohet me atë që është nënshkruar ose pranuar.

“Serbia është zotuar se do t’i njohë dokumentet e të gjitha ekonomive në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe ato të Kosovës”, thotë Mijaçiq.

Duke folur për çështjen e mos certifikimit të Listës Serbe nga KQZ-ja, ai tha se kjo parti “po refuzon mundësinë për t’u reformuar”.

“Lista Serbe duhej të reformohej që pas Banjskës. Ata marrin votat e qytetarëve, por nuk mund të marrin pjesë në proceset politike në Kosovë sepse nuk i do as pushteti, as opozita. Atëherë ato vota mbeten pezull”, potencoi Mijaçiq.

Të ngjashme