Mijëra banorë të Birmanisë ikin nga shtëpitë shkaku i frikës nga operacionet ushtarake

Prishtinë | 28 Qer 2020 | 14:39 | Nga Ekonomia Online

Mijëra fshatarë kanë ikur nga shtëpitë e tyre në rajonin Rakhine të Birmanisë pasi një administrator lokal u tha udhëheqësve të fshatrave se ushtria e vendit ka planifikuar operacione spastrimi kundër kryengritësve.

Lajmin e bënë të ditur një ligjvënës dhe një grup humanitar.

Megjithatë, një zëdhënës i qeverisë birmaneze tha të shtunën vonë se urdhri i lëshuar nga autoritetet për evakuim është tërhequr.

Në letrën e nënshkruar nga administratori Aung Thein thuhet se operacionet e ushtrisë janë planifikuar të kryhen në fshatin Kyauktan, afër zonave ku dyshohet se janë strehuar kryengritësit.

Aty nuk ceket se nga ka ardhur ky urdhër, por Min Than, ministër i Çështjeve Kufitare dhe Sigurisë, tha se dokumenti është udhëzim që është lëshuar nga ministria që ai e udhëheq dhe që është një nga tri ministritë e kontrolluara nga ushtria.

“Përderisa kryhet operacioni i spastrimit, nëse ndodhin luftime me terroristët, mos qëndroni në fshatra, por largohuni përkohësisht”, thuhet në këtë letër.

Sipas ministrit, operacionet e spastrimit mund të zgjasin deri në një javë dhe se administratori e ka keqinterpretuar urdhrin, sepse nga këto operacione do të preken më pak fshatra.

Dhjetëra njerëz kan vdekur dhe dhjetëra mijëra të tjerë janë zhvendosur për shkak të këtij konflikti. Organizata “Save the Children” ka thënë se 18 fëmijë janë vrarë dhe 71 janë lënduar ose gjymtuar nga janari deri në mars. Sidoqoftë, ushtria birmaneze thotë se nuk i ka në shënjestër civilët./ge

Të ngjashme