Mijëra izraelitë kanë protestuar kundër kryeministrit Benjamin Netanyahu të shtunën në mbrëmje afër rezidencës së tij në Jerusalem.
Një komandant policor tha se në këtë protestë kanë marrë pjesë përafërsisht 17,000 persona. Policia ende nuk e ka publikuar zyrtarisht numrin e protestuesve, por mediet lokale kanë vlerësuar se në tubim ishin mes 15,000 dhe 20,000 njerëz.
Protesta më të vogla kundër qeverisë u mbajtën edhe në Tel Aviv, Caesarea dhe Haifa si dhe në disa kryqëzime rrugësh dhe ura në mbarë vendin, shkruan “CNN”.
Përderisa protestat e kaluara kanë qenë të karakterizuara me zemërimin e publikut rreth menaxhimit të situatës së pandemisë nga qeveria, fokusi i tubimit të së shtunës ishte vetëm në akuzat për korrupsion ndaj kryeministrit.
Protestuesit mbanin në duar pankarta ku kërkohej dorëheqja e Netanyahut dhe dërgimi i tij në burg. Ata gjithashtu brohoritën me zë të lartë duke përmendur akuzat një nga një – ryshfet, mashtrim dhe thyerje e besimit. Sidoqoftë, Netanyahu i ka mohuar të gjitha akuzat.
Policia kërkoi në mesnatë nga protestuesit që të shpërndahen. Rreth orës 1 e 30 minuta pas mesnatës, forcat e sigurisë ndërhynë për t’i shpërndarë me forcë protestuesit e mbetur.