Në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi Lipovac-Batrovci prej disa orësh mbretëron një tollovi e vërtetë. Shumë shqiptarë, qytetarë të Kosovës, mbase me mijëra sish, janë duke pritur me orë të tëra për marrjen e dokumentit udhëtues, të cilin policia doganore e Serbisë po e vonon deri ne 12 orë!
Driton Berisha me banim në kantonin e SG, thotë për albinfo.ch se është duke pritur për të marrë dokumentin udhëtues prej orës 7 të mëngjesit (tani qe po raportoj ora shënon 15.33) dhe i mungon një shkronjë, e cila do të mjaftonte që në kufirin me Kosovën të më shkaktonin telashe.
Ai thotë se dy orët e para të mëngjesit policia serbe në vendkalimin kufitar Kroaci -Serbi ne Lipovac-Batrovci nuk ka mbushur dhe as dorëzuar as edhe një dokument të udhëtimit tranzit për qytetarët me pasaporta të Kosovës.
Me vonë, pasi filluan të punonin, thotë Berisha për albinfo.ch u duk se do të shkonte puna shpejt, por tanët e prishën radhën, duke u shtyrë dhe duke u paguar policëve ryshfet deri ne 100€. Dhe, këtu filluan pritjet e gjata kështu që tani po mërdhihemi këtu qe prej orës dy të drekës së ditës së premte me gruan dhe tre fëmijët e vegjël.
Merret vesh se nga pritjet e gjata dhe shtyrjet, disa qytetarë të Kosovës janë kacafytur për të hyrë në radhë para barakës së stacionit policor serb.
Pritjet e gjata për udhëtarët me makina për të hyrë nga Kroacia në Serbi deri tek dogana serbe shkojnë nga 5 deri në 8 orë. Pastaj, për udhëtarët me pasaporta te Kosovës, fillojnë pritjet dhe maltretimet e gjata për të marrë dokumentin e udhëtimit transit. Shumë shqiptarë nga pritjet e gjata dhe i ftohti që sillet rreth 0 gradë , thonë se “po na trajtojnë si të ishim refugjatë”.