Mijëra njerëz janë evakuuar në ishullin grek të Kretës, ndërsa zjarret pyjore, të përhapura nga erërat e forta, po kërcënojnë vendpushimet turistike dhe fshatrat.
Rreth 8,000 persona u evakuuan gjatë natës në Rethymno, ku shpejtësia e erës ka arritur deri në 125 kilometra në orë, shkruan BBC.
Evakuimet erdhën pasi dy zjarrfikës humbën jetën në ishull të mërkurën, pasi mbetën të bllokuar pranë Krya Vrysi, ndërsa një i tretë vdiq pranë qytetit-port të Gytheios në Peloponez.
Greqia është ndër shumë vende evropiane që po përballen me zjarre shkatërruese dhe thatësira, ndërsa kontinenti po përjeton temperatura jashtëzakonisht të larta.
Parashikuesit e motit paralajmërojnë se kushtet e favorshme për përhapjen e zjarreve do të shtrihen drejt qendrës së Europës këtë javë, me Greqinë dhe Turqinë ndër vendet më të prekura.
Zjarri që aktualisht po përhapet në Rethymno, në perëndim të Kretës, shpërtheu të mërkurën dhe besohet se tashmë ka shkatërruar një numër shtëpish dhe sipërfaqe bujqësore.
Ai është një nga zjarret më të mëdha që janë aktualisht aktive në ishull, me frontin e tij që shtrihet në më shumë se 15 kilometra dhe vazhdon të digjet jashtë kontrollit.
Nuk ka ende një pasqyrë të qartë të shkatërrimeve deri më tani, tha zëvendësguvernatorja rajonale e Rethymnos, Maria Lioni, duke shtuar se zjarri vazhdon të jetë aktiv dhe se vënia e tij nën kontroll mbetet përparësia kryesore.
Lioni e përshkroi të mërkurën si një “ditë të errët” për rajonin dhe tha se gjatë natës fuqia e erës arriti deri në 11 ballë sipas shkallës Beaufort – një forcë ere e kategorizuar si “e dhunshme”.
Pavarësisht përpjekjeve për shuarjen e zjarreve, erërat e forta po i ushqejnë flakët dhe po pengojnë operacionet për vënien e tyre nën kontroll, ndërsa mediat lokale raportojnë se avionët zjarrfikës nuk kanë mundur të fluturojnë të enjten në mëngjes.
Disa prej të evakuuarve në Rethymno janë zhvendosur në një strehimore të përkohshme në një bashki fqinje, tha Lioni, duke shtuar se janë marrë masa edhe për akomodimin e turistëve.