Pas një jave të qetësisë, mijëra protestues anti-qeveritar vërshuan rrugët e Hong Kongut të dielën duke bërë thirrje për “çlirimin e Hong Kongut”.
Protesta e cila u mbajt në një nga pjesët kryesore të qytetit, erdhi pas marshit të qindra protestuesve pranë konsulatës së Shteteve të Bashkuara për të shprehur mirënjohje për mbështetjen e SHBA-së.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ditë më parë nënshkroi një ligj që mbështet protestuesit pro-demokracisë në Hong Kong.
Vendimi u dënua nga autoritetet e Hong Kongut dhe Kinës.
Protestuesit mbanin pankarta me thirrje “Kurrë mos harroni se si keni filluar”, “Revolucion tani”.
Javën e kaluar për shkak të zgjedhjeve lokale ku shënuan fitore kandidatët pro-demokracisë, protestat ishin pezulluar.
Protestat anti-qeveritare kanë përfshirë ish-koloninë britanike që nga qershori, shpesh duke shkaktuar mbylljen e shkollave, aeroportit dhe transporteve tjera.
Ato u organizuan fillimisht për të kundërshtuar një projekt-ligj që parashikonte ekstradimin e të dyshuarve në Pekin, por shpejt u shndërruan në një betejë, për të drejtat demokratike dhe ruajtjen e lirive civile, të garantuara për Hong Kongun më 1997, kur Britania e Madhe ia ktheu territorin Kinës.