Mijëra qytetarë protestuan në kryeqytetin e Moldavisë, Kishiniev, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.Protestuesit u mblodhën në sheshin para ndërtesës së parlamentit dhe brohoritur slogane kundër qeverisë.
Tubimi u thirr nga presidentja e zgjedhur, Maia Sandu, e cila është në favor të lidhjeve më të ngushta me Bashkimin Evropian, pasi ligjvënësit miratuan një ligj që ia transferon kontrollin e agjencisë së inteligjencës nga presidenca te parlamenti.
Më 3 dhjetor, dhjetëra-mijëra qytetarë po ashtu kishin protestuar për këtë vendim.Presidentja e zgjedhur, Maia Sandu mposhti në zgjedhjet presidenciale të mbajtura muajin e kaluar, presidentin në detyrë Igor Dodon, i cili mbështetet nga Rusia.Sandu dhe mbështetësit e saj thonë se qëllimi i këtij ligji ishte që t’i kufizoheshin fuqitë presidenciale përpara se ajo të merrte detyrën e të parës së shtetit.
Duke folur para protestuesve më 6 dhjetor, ajo ripërsëriti thirrjet që qeveria e kryeministrit Ion Chicu të japë dorëheqje dhe të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.“Igor Dodon nuk dëshiron që ta pranojë humbjen. Ai dëshiron që tani t’ia vë flakën shtetit, të provokojë kaos, ta fusë Moldavinë në izolim ndërkombëtar”, tha ajo para protestuesve.Sandu po ashtu akuzoi parlamentin se po tenton që të sabotojë aftësitë e saja për të luftuar korrupsionin duke thënë se “kjo shumicë miraton ligje që t’i hiqen fuqitë presidentit, në mënyrë që ne të mos mund të luftojmë korrupsionin dhe hajnat”.“Ne do të shkojmë deri në fund, derisa të kemi pastruar shtetin nga zyrtarët e korruptuar”, shtoi ajo.Gjykata Kushtetuese pritet që më 10 dhjetor zyrtarisht ta konfirmojë fitoren e Sandu dhe pas dy javësh ajo pritet të inaugurohet.Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale, Sandu kishte premtuar se do ta luftojë korrupsionin në Moldavi, që është njëri nga shtetet më të varfra në Evropë.