Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) dhe organizata “Let’s Do It Kosova”, ka mbajtur konferencë për medie lidhur me aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”, i cili do të nisë nesër dhe do të vazhdojë për 3 muaj.
Ushtruesi i Detyrës së ministrit të MMPH-së, Fatmir Matoshi, u shpreh se qëllimi i kësaj kampanje është pastrimi i mbeturinave që janë hedhur për vite të tëra dhe ngritja e vetëdijes për të ruajtur ambientin në të ardhmen.
Matoshi ka bërë të ditur se me përjashtim të Prizrenit, aksioni do të fillojë në shumicën e komunave nga ora 10:00, në 32 komuna të Kosovës.
Ai ka falënderuar të gjitha institucionet dhe organizatat dhe bashkësitë fetare që kanë ndihmuar këtë kampanjë.
“Aksionin e fillojmë bashkë me sektorin privat. 32 komuna të Kosovës kanë krijuar taskforca. Këto komuna e kanë kaluar testin e parë për të qenë fituese të grantit 1.2 milionë euro. Strategjia nacionale është në përfundim. Me 20 shtator do të kemi takim me shoqëritë tregtare për shishet e plastikës. Nesër, përjashtim Prizrenit që është në ora 09:00, të gjitha komunat fillojnë aksionin rreth orës 10:00. Në 17 prej komunave kryetarët janë udhëheqës të taskforcave”.
Matoshi ka ftuar qytetarët që të ndajnë pak nga koha e tyre për të kontribuuar rreth një ambienti sa më të pastër.
“Thirrja ime për qytetarët është që kudo që jeni përkushtoni pak kohë ambientit sepse fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm meritojnë të jetojnë në një ambient të pastër”. Prizreni është që ka më shumë deponi ilegale, pastaj Obiliqi”.
Ai njoftoi se gjatë këtij tremujori do të këtë krijojnë edhe hapësira gjelbëruese përmes mbledhjes së drunjve.
Albena Reshitaj, ish-ministre e MMPH-së, tani këshilltare e kryeministrit Haradinaj, ka ftuar të gjithë qytetarët pa dallime t’i bashkohen kësaj kampanje.
Për këtë aksion ajo tha se janë ftuar edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës.
“Dua që të gjithë qytetarëve dhe të gjithë njerëzve pa dallim partiak etnie apo religjionit të mbrojmë mjedisin që të vijnë të bëhen pjesë e këtij aksioni të madh të pas luftës. Është momenti i parë që po reflektojmë të gjithë. Është moment që të jemi bashkë për mjedisin tonë për të ndryshuar gjendjen”.
Ajo u shpreh optimiste në suksesin e udhëzimit administrativ për gjobat mandatore, i cili është në përgatitje e sipër që planifikohet të fillojë të implementohet brenda këtyre tre muajve të aksionit.
“Shpresoj që të ketë shumë sukses sepse gatishmëria për implementimin e udhëzimit është i madh. deri në fund të tetorit shpresoj që të jetë gati strategjia nacionale për menaxhimin e integruar të mbeturinave”.
Drejtori ekzekutiv i “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasani, ka folur për pjesën logjistike të aksionit duke dhënë detaje për aksionin që fillon nesër.
Hasani bëri të ditur se gjatë dy javëve të fundit janë regjistruar tre mijë vullnetarë, derisa shtoi se aksionet nesër do të jenë të fokusuara në mbetjet plastike.
“Aksioni do të fillojë në ora 10, në ora 8 e 30 aktivistët do të dalin te sheshi ‘Zahir Pajaziti’ të cilët do të shpërndahën në 14 pika. Aksioni do te jetë në shumicën e komunave, të dielën do të jetë Mitrovica dhe Juniku”.
Të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e aksionit mund të regjistrohen në faqen tapastrojmekosovën.org.
Për këtë aksion janë shpërndarë 150 mijë thasë, dorëza e maica, derisa do të ketë shujta ushqimi falas për vullnetarët.
“Në fund te ditës kemi organizuar një qendër të thirrjeve dhe tërë ditës do të ju informojmë për numrin e vullnetarëve dhe mbarëvajtjen e aksionit”.