Kryesuesi i seancës së Kuvendit, Adem Mikullovci, ka thënë se nuk do të ketë më takime konsultative mes partive, pavarësisht se koalicioni PAN ka kërkuar që një takim i tillë të mbahet të mërkurën e ardhshme, shkruan sot, gazeta Zeri.
Mikullovci ka konsideruar se koalicioni PAN është duke e zvarritur qëllimisht procesin e krijimit të institucioneve. Kjo pasi që, sipas tij, PAN-i ose nuk i ka numrat, ose ka përçarje mes vetë koalicionit.
Sipas tij, një bllokadë e tillë mund të zgjasë deri në zgjedhjet lokale (të cilat do të mbahen më 22 tetor). Por, ai nuk ka përjashtuar mundësinë që për shkak të mangësive të Kushtetutës një gjë e tillë të zgjasë deri në pafundësi.
Gjatë bisedës ai ka thënë se veprimet e PAN-it do ta dëmtojë tejet shumë shtetin e Kosovës. Mikullovci po ashtu është kundërpërgjigjur ndaj akuzave të PAN-it, sipas të cilave ai po e keqpërdor pozitën dhe po e thirr seancën kokë më vete.
Me këtë rast deputeti më i moshuar i Legjislaturës së Gjashtë ka thënë se një gjë e tillë është gënjeshtër e paskrupullt.