Milani ka konfirmuar se është tërhequr nga projekti i Superligës Evropiane, duke u bërë klubi i nëntë që e bën një gjë të tillë pë prej njoftimit për krijimin e ligës të dielën.
Gjiganti italian ishte në mesin e 12 klubeve evropiane që iu bashkuan këtij projekti si anëtare themeluese, raporton Gazeta Express.
Megjithatë, më pak se tri ditë që prej njoftimit për krijimin e kësaj ligë të shkëputur, nëntë nga themeluesit janë tërhequr.
Milani tha në një njoftim të mërkurën: “Ne e pranuam ftesën për të marrë pjesë në projektin e Superligës Evropiane me qëllim për ta ofruar garën më të mirë të mundshme evropiane për tifozët e futbollit përreth botës dhe në interesin më të madh të klubit dhe të tifozëve tanë. Megjithatë, zëri dhe shqetësimet e tifozëve në gjithë botën janë shprehur qartazi për Superligën dhe AC Milan duhet të jetë i ndjeshëm ndaj zërit të atyre që e duan këtë sport të mrekullueshëm”.
Ndërkohë, themeluesi i Superligës dhe presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, e ka pranuar se ka dështuar përfundimisht Superliga Evropiane, e cila për synim kishte ta zëvendësonte Ligën e Kampionëve si garën kryesore evropiane për klube.
I pyetur të mërkurën nëse ende ka gjasa që projekti i tyre të realizohet pas largimeve, Agnelli tha për Reuters: “Të jem i sinqertë me ju, jo, përfundimisht nuk do të ndodhë”.
Para Interit, Atleticos dhe Milanit, të martën vonë u tërhoqën edhe gjashtë klubet angleze, Manchester City, Manchester United, Chelsea, Liverpool, Arsenal dhe Tottenham u tërhoqën.
Nga 12 klube themeluese të kësaj lige, vetëm Real Madridi, Barcelona dhe Juventusi kanë mbetur ende në listë.