Reali, Barcelona, Siti, PSG, Junajtid? Jo, klubi që po mahnit Europën këtë verë është Milani, që po rikuperon gjithë vitet e fundit ku u bë gazi i botës, me huazime e blerje lojtarësh modestë.
Tani Milani kinez ka blerë shumë talente dhe një yll si Leonardo Bonuçi, por nuk ka ndërmend të ndalet, pasi synimi është i qartë: sa më shpejt në majë, që do të thotë dy vendet e para në Serinë A!
Klubi kuqezi po sheh me interes çdo lojtar interesant që është në treg dhe në pritje të mbylljes së merkatos me një sulmues, po sheh edhe opsione që mund të bëhen shumë fitimprurës për të ardhmen.
Në Portugali mediat raportojnë se Milani ka nisur kontaktet me Bajernin e Mynihut për mesfushorin Renato Sançes, duke ofruar 7 mililionë euro për huazim dy-vjeçar dhe 40 milionë euro për blerjen finale, nëse vendos ta blejë.
Do të ishte një biznes i shkëlqyer për të dyja palët, pasi Bajerni kërkon të rikuperojë 35 milionë eurot e paguara për 19-vjeçarin, i cili deri tani nuk ia ka dalë mbanë në Mynih, ndërsa Milani sheh një super investim, duke parë moshën dhe talentin e portugezit.