Milani ka ende gjasa ta kalojë grupin në Ligën e Kampionëve

Prishtinë | 04 Nën 2021 | 11:57 | Nga Ekonomia Online

Milani ende ka shpresa të kalojë në mesin e 16 më të mirëve në Ligën e Kampionëve, edhe nëse shanset i ka shumë të vogla, pasi Liverpooli e siguroi vendin e parë në grup.

Milani u ndal me një barazim 1:1 nga Porto të mërkurën mbrëma, duke e fituar pikën e parë në katër ndeshje në Grupin B.

Megjithatë, kuqezinjtë nuk janë plotësisht jashtë garës për t’u kualifikuar në rrethin e 16 më të mirëve.

Do të nevojitet një mrekulli që Milani të kualifikohet, por nuk do të ishte hera e parë, pasi edhe Atalanta e kishte vetëm një pikë pas katër ndeshjeve dhe ia doli të kualifikohej para dy vjetëve.

Liverpooli është kualifikuar tashmë si lider i garantuar i Grupit B me 12 pikë nga katër ndeshjeve, i ndjekur nga Porto me pesë pikë dhe Atletico Madridi me katër pikë.

Ndeshjet e mbetura të Milanit janë kundër Atletico Madridit në udhëtim më 24 nëntor dhe kundër Liverpoolit në shtëpi më 7 dhjetor.

Porto ka rekord më të mirë kokë më kokë kundër Milanit, prandaj nëse ekipi i Sergio Conceicaos e mund Liverpoolin, atëherë për Milanin mbaron gjithçka.

Milani duhet t’i fitojë patjetër të dy ndeshjet e mbetura, të shpresojë se Porto e fiton vetëm një pikë nga dy ndeshje dhe pastaj ta krijojë një rekord më të mirë kokë me kokë ndaj Atleticos duke e mundur atë në Wanda Metropolitano me dy gola dallim të paktën.

Do të jetë e vështirë, dhe vendi i tretë për kualifikim në Ligën e Evropës është më i kapshëm, por jo e pamundur. 

Të ngjashme