Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanović, ka bërë të ditur se nuk ka kushte që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, të vijë në Kroaci, prandaj ai ka vendosur të anulojë takimin e Procesit “Brdo-Brioni” që ishte planifikuar të mbahej në maj në Kroaci.
Në një deklaratë të shkruar, Milanović tha se shprehjet dhe veprimet e presidentit Vučić në ditët dhe javët e fundit janë në kundërshtim me qëllimet e Procesit “Brdo-Brioni”, dëmtojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.
Procesi “Brdo-Brioni” është një iniciativë e Kroacisë dhe Sllovenisë (të dyja vende anëtare të Bashkimit Evropian) që synon të përmirësojë bashkëpunimin rajonal dhe të përshpejtojë integrimin evropian të vendeve të Evropës Juglindore. Samiti i këtij procesi ishte planifikuar të mbahej në maj të këtij viti.
Milanović theksoi se takimi do të mbahet vetëm kur të krijohen kushtet e duhura, pas konsultimeve mes tij dhe presidentes së Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, e cila është bashkudhëheqëse e Procesit “Brdo-Brioni”.