Miliarderët e botës kanë më shumë pasuri se 4.6 miliardë njerëz dhe zotërojnë dyfishin e pasurisë së 6.9 miliardë njerëzve.
Kështu thuhet në raportin e organizatës ndërkombëtare OXFAM, të publikuar përpara takimit vjetor të udhëheqësve botëror në Davos.
Raporti thotë se 2,153 miliarderët e botës posedojnë më shumë pasuri se 4.6 miliardë njerëz, që përbëjnë 60 për qind të popullsisë së planetit dhe se numri i miliarderëve është dyfishuar në dekadën e fundit.
“Ekonomitë tona të brishta po mbushin xhepat e miliarderëve. Nuk është çudi që njerëzit kanë filluar të pyesin nëse miliarderët duhet të ekzistojnë”, tha shefi i OXFAM në Indi, Amitabh Behar, përcjell Telegrafi.
“Pabarazia nuk është fati i dikujt. Është rezultat i politikës sociale dhe fiskale që zvogëlon pjesëmarrjen e të pasurve [përmes taksave] dhe dobëson fondet për shërbimet publike”, tha Pauline Leclère, zyrtare e lartë e OXFAM në Francë.
Raporti vjetor i OXFAM-it për pabarazinë botërore, zakonisht publikohet përpara se të hapet Forumi Botëror Ekonomik.