Miliarderi Aziz Akhannouch emërohet kryeministër i Marokut

Prishtinë | 11 Sht 2021 | 10:18 | Nga Ekonomia Online

Mbreti i Marokut, Muhamedi VI, e ka emëruar biznesmenin miliarder, Aziz Akhannouch, kryeministër të qeverisë së re marokene, pasi partia e tij liberale, RNI, i mposhti në zgjedhje islamistët që ishin për një kohë të gjatë në pushtet.

Partia e miliarderit Akhannouch fitoi 102 ulëse në kuvendin me 395 deputetë, duke i rrëzuar nga pushteti islamistët e partisë PJD, të cilët e udhëhoqën qeverinë për një dekadë. Këta të fundit kësaj radhe fituan vetëm 13 ulëse në kuvend.

Revista “Forbes” ka vlerësuar se pasuria e kryeministrit të ri maroken është 2 miliardë dollarë amerikanë. Ai e ka udhëhequr partinë RNI që nga viti 2016, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Partia e tij shihet si e afërt me Pallatin dhe ka qenë pjesë e koalicioneve qeveritare pothuajse gjatë tërë kohës në dy dekadat e fundit, përjashtuar një periudhë të shkurtër mes viteve 2012 e 2013.

Pas fitores në zgjedhje, Akhannouch u zotua se do t’ua përmirësojë kushtet e jetesës bashkëkombasve, ku pabarazia sociale është përkeqësuar edhe më shumë nga pandemia.

“Zotimi kryesor i partisë është që të punojmë seriozisht përderisa e gëzojmë besimin e qytetarëve për t’ua përmirësuar jetën e përditshme, për t’i arritur aspiratat e tyre dhe për ta kthyer besimin e tyre në përfaqësuesit e vet”, tha miliarderi.

Ndryshe, ekonomia e Marokut vitin e kaluar u tkurr për 7.1 për qind dhe shkalla e varfërisë u rrit në 11.7 për qind gjatë izolimit, sipas statistikave zyrtare të publikuara në prill të këtij viti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme