Miliona banorë të Kalifornisë në Shtetet e Bashkuara mund të mbesin pa rrymë në kohën kur zjarrfikësit po vazhdojnë të luftojnë me zjarret e mëdha në natyrë që janë përhapur në këtë rajon.
Kompania përgjegjëse për furnizim me rrymë në këtë pjesë, Pacific Gas & Electric, tha se mund të jetë e detyruar ta ndërpresë furnizimin në 36 distrikte për shkak të parashikimeve për erëra të forta dhe rrezikut nga shkaktimi i zjarreve të reja nga rryma.
Ky paralajmërim erdhi në kohën kur rreth 50 mijë njerëz tashmë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Gjendja emergjente është shpallur në Los Angeles dhe Sonoma.
Zjarrfikësit në Kaliforni kanë thënë se ky shtet është duke u përballur me gjendje kritike për shkak të zjarreve në natyrë.
Duke folur për zjarret e fundit, guvernatori Gavin Newsom e kritikoi kompaninë e energjisë elektrike, duke thënë se ajo thjesht nuk e ka bërë punën e saj. Ai shtoi se kjo kompani për vite të tëra nuk i ka menaxhuar si duhet stacionet e veta.
Në anën tjetër, zyrtarët e kompanisë që është përgjegjëse për furnizim me energji thanë se era paraqet rrezik të shtuar për përhapje të zjarreve. Sipas tyre, rrezik shtesë është edhe bimësia e ndjeshme, e cila është bërë më e ndezshme për shkak të thatësisë, shkruan BBC.