Miliona spanjollë e kanë rifilluar punën të hënën pas dy javëve në izolim për shkak të Coronavirusit. Këtu u përfshinë punëtorët e fabrikave dhe ndërtimtarisë.
Policia u pa duke shpërndarë miliona maska në stacionet e metros pas fillimit të udhëtimeve për punëtorët, ndonëse masat e izolimit vazhdojnë të mbesin në fuqi për pjesën tjetër të popullsisë.
Në grupin e atyre që e rifilluan punën sot ishin edhe punëtorët e industrisë së metaleve, mirëmbajtësit, punëtorët e sanitarisë dhe ata që janë të angazhuar në sektorin e sigurisë.
Ndonëse sot është ditë pushimi në disa rajone të Spanjës, një sindikatë e punëtorëve të ndërtimtarisë tha se vendimi i qeverisë për rifillimin e punës do t’i prekë 1.7 milion punëtorë.
Në anën tjetër, Italia nga nesër do ta lejojë hapjen e librarive dhe dyqanet për rroba të fëmijëve, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.
Në Danimarkë, të mërkurën do të rihapen shkollat dhe qendrat e kujdesit ditor për fëmijët e vegjël, duke ua mundësuar kthimin në punë një pjese të punëtorëve.
Italia dhe Spanja janë dy vendet më të prekura nga koronavirusi në Evropë dhe së bashku me Shtetet e Bashkuara e përbëjnë treshen e shteteve me më së shumti raste të viktimave në botë.