Milionat e fituara nga mashtrimi me viza pune në Gjermani

Prishtinë | 07 Jan 2020 | 10:13 | Nga Ekonomia Online

Pasi më parë e kishte përfunduar mbrojtjen e tij, i akuzuari Flamur Hoxha, mbrojtjen e tyre e kanë paraqitur edhe dy të akuzuarit e tjerë për mashtrim me viza pune gjermane, Besim Rexhaj dhe Veprim Rexhepi.

Besim Rexhaj, akuzohet se në bashkëkryerje me Flamur Hoxhën, kanë mashtruar një numër të madh të qytetarëve, nga të cilët kanë marrë para prej 2500-3000 euro, kinse do t’i punësojnë në Gjermani, e më pas duke keqpërdorur në forma të ndryshme me fondet në fjalë.

Gjithashtu, në këtë rast, akuzohet edhe Veprim Rexhepi, që sipas aktakuzës, me anë të falsifikimit, ka nënshkruar rreth 400 kontrata pune për në shtetin e Gjermanisë, pa qenë i autorizuar fare nga personat përgjegjës, në emër të të cilëve janë lëshuar këto kontrata.

Gjatë mbrojtjes së tij, ish-drejtori ekzekutiv i “MNP Personal Leasing SHPK” në Prizren, Besim Rexhaj, ka deklaruar se asnjë kandidat nga “MNP” dhe as nga shkolla “DBBS”, nuk kanë marrë viza pune për Gjermani.

Në pyetjen e prokurorit special Afrim Shefkiu, se për shumat e paguara 2500-3000 euro çfarë u është premtuar klientëve, i akuzuari ka deklaruar se u është premtuar punësimi në Gjermani.

“Që në fillim të kontaktit që kam pasur me Flamur Hoxhën, kur zyrën e kam pasur në fshatin Korishë, shërbimi i klientëve për këtë pagesë ka qenë finalizimi i tyre, punësimi në Gjermani”, ka thënë i akuzuari Rexhaj.

Ai tha se ndihet i mashtruar nga Flamur Hoxha dhe nënshtetasi gjerman Malfred, njëjtë si gjithë klientët e tjerë.

I akuzuari Rexhaj ka thënë se shuma e përfituar nga klientët si drejtor i “MNP” ka qenë 222.100 euro, duke shprehur keqardhje për klientët e mashtruar.

“Siç më vjen keq për veten time që jam i mashtruar dhe i dëmtuar sepse kam punuar mbi një vit në shkollën “DBBS”, po ashtu edhe më vjen keq për të gjithë klientët që janë të dëmtuar dhe mashtruar, mund të përmend dy emra si të dëmtuar siç janë, Afrim Gashi, është i dëmtuar 3000 euro, të cilin bashkëshortja ime e ka djalë të hallës, dhe Gëzim Rexhaj, që e kam kushëri është i dëmtuar me 2500 euro, pra në qoftë se do ta dija që është mashtrim, të paktën njerëzit e familjes time nuk do t’i kisha afru”, ka deklaruar i akuzuari Rexhaj.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Flamur Hoxha, avokatit Ruzhdi Gashi, i akuzuari Rexhaj ka deklaruar se ai dhe punëtorët e tjerë të cilët kanë punuar në “MNP”, nuk kanë pasur marrëveshje individuale me Flamur Hoxhën, por sipas tij, “MNP”-ja si biznes është paraqitur tek nxënësit e “DBBS”-së gjashtë muaj para se të regjistrohet në Agjenci për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës.

Gjatë seancës të së hënës, mbrojtjen e tij e ka paraqitur edhe i akuzuari Veprim Rexhepi, i cili duke u përgjigjur në pyetjen prokurorit Shefkiu, ka deklaruar se ai ka qenë punëtor edhe i Flamur Hoxhes edhe i Besim Rexhës.

“Fillimisht në lagjen Ortakoll në Prizren, kam punuar për Flamurin, ndërsa më vonë në shkollën “DBBS”, kam punuar për Besimin, pasi që ai është bërë drejtor i “MNP”-së”, tha i akuzuari Rexhepi.

Ai ka mohuar të ketë falsifikuar kontratat për punësim në Gjermani, por ka pranuar se i ka nënshkruar ato në emër të tjetër kujt.

Sipas tij, kontrata për punësim në Gjermani i kishte nënshkruar ai, në emër të nënshtetasit gjerman Malfred Schafenberger, me pëlqimin e tij, ku numri i këtyre kontratave është mbi 100.

Rexhepi tha se këto kontrata i ka nënshkruar në zyrën e tij, që e ka pasur në shkollën “DBBS”.

Ai ka thënë se ishte ideja e Flamur Hoxhës që të mbylleshin të gjitha zyrat me mbishkrimin “MNP Personal Leasing” dhe të kalonin tek objekti i shkollës “DBBS”

Ndërsa, në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Flamur Hoxha, avokatit Ruzhdi Gashi, i akuzuari Rexhepi, ka deklaruar se nuk e din se me çfarë emra i kanë regjistruar bizneset, por mbishkrimi në zyre në “Ortakoll” dhe në shkollën “DBBS”, ka qenë e njëjtë “MNP Personal Leasing”, ndërsa drejtorët sipas tij, janë ndërruar njëherë ka qenë Flamuri e më pas Besimi.

Ai po ashtu ka thënë se kur ka kaluar në objektin e shkollës “DBBS” ka pasur kontratë pune dhe se ajo kontratë ka qenë e nënshkruar nga Besim Rexhaj.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Xheladin Osmani, se nga nënshkrimi i kontratave në emër të Malfredit, a kishte përfituar diçka tjetër përveç pagës, i akuzuari Rexhepi ka deklaruar se nuk ka fituar asgjë tjetër.

Ai tha se ka menduar se gjithçka ka qenë në rregull me kontratat e punës, me procesin e punës, dokumentacionin, ku sipas tij, vetë fakti se tek ata kishte ardhur shefi i firmës Malfred, dhe ju kishte thënë se gjithçka është në rregull, ata kishin besuar se do të realizoheshin këto kontrata, andaj Rexhepi deklaroi se nuk ndihet fajtor për veprën me të cilën akuzohet.

Fjala përfundimtare për këtë rast pritet të mbahet më 6 janar 2020, në ora 09:30.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale (PSRK), të ngritur më 20 gusht 2018, me të cilën Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj, akuzohen se në periudhën 2016-2017, megjithëse e kanë ditur se të ardhurat burojnë nga aktivitete kriminale, kanë pranuar para nga qindra persona të dëmtuar, saktësisht 489 persona, me arsyetimin se do t’i punësojnë në Gjermani.

Sipas aktakuzës, Hoxha dhe Rexhaj, nga të dëmtuarit e njëjtë i kanë marrë nga 2500 – 3000 euro, të cilët fare nuk i kanë dërguar në Gjermani, duke fshehur fondet në fjalë e më pas të njëjtat fonde duke i transferuar tek persona tjerë, me këto veprime kanë përvetësuar shumën prej 1.220.175.00 euro, nga të cilat kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1.068.775.00 euro.

Me këtë, në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, akuzohen se kanë kryer veprën penale “shpëlarje parash”, nga neni 308 i Kodit Penal të RKS, si dhe neni 32 parag 2. nën parag 2.1 dhe 2.2 i Ligjit mbi Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimin e Terrorizmit, lidhur me nenin 81 dhe 31 të Kodit Penal të RKS.

Sipas aktakuzës, të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale të mashtrimit, nga neni 335, dhe atë të falsifikimit të dokumenteve nga neni 399, si dhe Shmangie nga Tatimi nga neni 313 të Kodit Penal të RKS.

Kurse, Veprim Rexhepi, akuzohet se në periudhën 2016-2017, me anë të falsifikimit, ka nënshkruar rreth 400 kontrata pune për në shtetin e Gjermanisë, pa qenë i autorizuar fare nga personat përgjegjës, në emër të të cilëve janë lëshuar këto kontrata.

Me këtë, ai akuzohet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve nga neni 398 parag 1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme