Kostoja e promovimit vetëm në rrjete sociale të subjekteve politike, të kandidatëve për kryetarë, si dhe të atyre për asamble për zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017 vlerësohet se “peshon” miliona euro. Në garë për kryetarë komunash janë 204 kandidatë dhe 7000 të tjerë garojnë për asamble lokale, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Sikurse në fushatat e kaluara, edhe në fushatën për zgjedhjet lokale të 22 tetorit partitë politike, kandidatët e tyre për kryetarë, si dhe ata për asamble, po vazhdojnë të shpenzojnë shuma të mëdha parash me qëllim të promovimit sa më të madh të elektoratit.
Ndonëse secili kandidat për kryetar komune javë më parë ka nisur fushatën edhe nëpër rrjetet sociale (duke sponsorizuar shkrime e fotografi të ndryshme), megjithatë ende vazhdojnë ta mbajnë të fshehur burimin e financimit.
Por ekspertët e rrjeteve sociale, të cilët e kanë përcjellë fushatën e kandidatëve në këto zgjedhje, vlerësojnë se kandidatët për kryetarë të komunave shpenzojnë mesatarisht rreth 50 euro në ditë në promovimin e tyre në rrjetet sociale dhe në kanalet e tjera digjitale.E nëse një praktikë të tillë e kanë ndjekur gjatë tërë muajit të fushatës (për secilën ditë), i bie që secili kandidat t’i ketë harxhuar rreth 1500 euro së paku.