Disa sulmues të dyshuar islamikë i kanë vrarë 14 njerëz në pjesën lindore të Republikës Demokratike të Kongos. Lajmin e bënë të ditur autoritetet lokale. Dhuna që ka shpërthyer në këtë shtet afrikan i ka ndërlikuar përpjekjet për luftimin e Ebola-s.
Sulmi në fshatin Kukutama, dhjetë kilometra në jugperëndim të Oicha-s, e ka çuar në mbi 100 numrin e viktimave nga 30 tetori, kur ushtria kishte nisur një operacion për çrrënjosjen e Forcave Aleate Demokratike, të cilat në të vërtetë janë një grup xhihadist që operon në pyjet e dendura pranë kufirit me Ugandën.
Sulmi i së premtes ndodhi vetëm disa kilometra larg vendit ku para disa ditëve kishte ndodhur një sulm tjetër i përgjakshëm, në të cilin ishin vrarë 19 persona.
“Përderisa ushtria po e bën më të mirën e saj për ta neutralizuar rebelimin e Forcave Aleate Demokratike, rebelët po i sulmojnë civilët e pambrojtur përmes rrugës së hakmarrjes”, tha Donat Kibwana, administrator i territorit Beni.
Sipas grupeve të të drejtave të njeriut dhe shoqërisë civile, shumica e viktimave janë masakruar ose u është prerë koka.
Dhuna në këtë rajon të Afrikës po i pengon përpjekjet për ta luftuar virusin e Ebola-s, e cila i ka lënë të vdekur 2200 njerëz nga gushti i vitit 2018, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.