Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo, e ka komentuar deklarimin e presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve si pjesë të një strategjie të menduar.
“Mendimi im është se jo rastësisht ai po i bën këto deklarata tani. Është menjëherë pas takimit që ka pasur me Vuçiç në Bruksel. Është edhe momenti tjetër delikat se nesër, pas deklarimeve të mëparshme dhe pretendimeve serbe, duhet që pala kosovare të mund të përcaktojë statusin e asociacionit serb në Kosovë”, është shprehur Milo për Top Channel.
Ish-ministri i Jashtëm shton se deklarata e Thaçit është “një testim që kërkohet t’i bëhet opinionit publik shqiptar, me këtë rast Kosovës, por edhe më gjerë, të gjithë shqiptarëve në rajon. E pse jo edhe të faktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë. S’besoj se Thaçi nuk e ka menduar thellë deklaratën që ka përsëritur disa herë këto ditë. Është një pjesë e subkoshiencës me dialogun politik që është duke bërë me Vuçiç.”
Milo thotë se shqiptarët e mirëpresin bashkimin e Preshevës me Kosovën, por shtron pyetjen se si mund ta pranojnë serbët një lëshim të Medvegjës, Bujanovcit dhe krahinave të tjera të banuara nga shqiptarë në Serbinë jugore pa një lëshim nga pala kosovare në adresë të territorit të Kosovës.
Ai thotë se është dakord me pretendimin e Thaçit për një marrëveshje historike me Serbinë, por paralajmëron se nuk do të jetë e thjeshtë.