Minatorët e Trepçës dhe Kishnicës kanë hyrë në grevë që nga dita e sotme.
Një nga minatorët, Flamur Imeri ka thënë për KlanKosova.tv se arsyeja e grevës është mosmarrja e pagës së plotë për muajin e kaluar dhe paga e këtij muaji.
Imeri që është minator në Trepçë thotë se në muajin e kaluar kanë marrë 70 përqind të pagës ndërsa minatorët në Kishnicë nuk kanë marrë asnjë cent.
“70 përqind të pagës në muajin e kaluar e kemi marrë ndërsa për këtë muaj ende nuk kanë dalë pagat. Momentalisht në minierën e Trepçës jemi mbi 200 punëtorë të ndërrimit të parë që kemi ndërprerë punën”.
“Minatorët e Kishnicës nuk kanë marrë fare pagën e muajit të kaluar e as të këtij muaji për atë edhe ata kanë ndërprerë punën”.
Imeri mes tjerash deklaron se nuk kanë marrë ndonjë datë se kur do u dalin pagat teksa shtoi se grevën do e vazhdojnë derisa t’i marrin ato.