Minatorët e Trepçës janë revoltuar në kryeministrin Isa Mustafa, për mos prezencën e tij në fillimin e “Javës së Minatorëve”, në Trepçë.
Ndërsa e paralajmëruan se nuk do të pranojnë asnjë bord politik në krye të këtij kombinati, raporton Ekonomia Online.
Shyqyri Sadiku, njëri nda minatorët prezent, akuzoi institucionet përkatëse për të cilat thotë se nuk kanë bërë më asnjë lëvizje për zbatimin e këtij ligji.
Ai tha se kanë probleme të shumta brenda Trepçës, duke shtuar se ky kombinat do të përballet edhe më probleme pas miratimit të ligjit.
“Nuk është ligji më i mirë i mundshëm por është një ligj që është shpëtuar Trepça nga likuidimi. Është fat i madh që është shpëtuar Trepça. Ka tre muaj që pas aprovimit të ligjit institucionet nuk kanë lëvizur aspak rreth Trepçës dhe Trepça për momentin është në një vakuum institucional, nuk kemi bord ne kemi parashtrua kërkesa. Njëra ndër kërkesat me më rëndësi ka qenë që të formohet bordi për Trepçën sepse nëse nuk formohet bordi prapë po e them Trepça është në një situatë të padefinuar sepse nuk kemi menaxhment dhe besoj se me formimin e bordit kishim me zgjidh shumë probleme”, tha ai.
Të njëjtën gjë e tha edhe Isuf Peci, duke pohuar se edhe pas miratimit të ligjit për Trepçën më nuk është bërë asnjë lëvizje.
“Le të flet dikush dhe le të na tregon çka është rregulluar. Teknologjia është e 80 vjetëve, kthene kryet nga minatorët atë kontributin që e kanë dhënë të lavdishëm, mos i harroni minatorët bëhuni të sinqertë ndihmonani sepse kjo është për të mirën e shtetit tonë, për të mirën e popullit tonë le ti lëmë ndasitë dhe ktheni kokën le të formohet bordi , jo politik, kurrfarë bordi politik nuk kemi me pranua, ajo le të harrohet, kush mendon le ta harron”, ka pohuar Peci.
Kryeministri Mustafa, u arsyetua që nuk ka qenë në dijeni për organizimin që është bërë në Trepçë, duke ia hedhur fajin kabinetit të tij.
“Keni të drejtë të bëni vërejtje pse nuk kemi qenë atë ditë kur ka filluar “Java e Minatorëve”, por unë me ju tregu pse nuk jemi ardhur më ka rrëshqit nuk më ka rrëshqit mua por këtyre të kabinetit nuk më kanë treguar me kohë, sepse ne ishim ardhur dhe nuk kishim prituar bile unë kur e kam parë tubimin atje jam ndier keq që nuk kemi qenë aty atë ditë kur ka filluar “Jave e Minatorëve”, por i kompensojmë edhe këto”, ka thënë kryeministri Mustafa.
E sa i përket kërkesave të punëtorëve për formimin e bordit kryeministri Mustafa,i siguroi minatorët se do të procedojnë edhe këtë çështje.
“Ju siguroj se do të procedojmë me bordin edhe jemi shumë të interesuar që bordi me qenë profesional, të ketë njerëz aty që e njohin punën edhe të Trepçës e njohin edhe këtë fushë të minierave, mineraleve se pa ta e kemi të vështirë me i dërgua proceset përpara. Edhe këtë kemi me procedua ne sepse mandej edhe zgjedhja e dy anëtarëve që vijnë si përfaqësues të punëtorëve që janë aksionarë nuk mund të behët nëse ne nuk e zgjedhim bordin përpara , më bë statutin me aprovua statutin brenda në Trepçë”, ka deklaruar Mustafa.
Ligji për Trepçën, u miratua në tetor të vitit të kaluar, i cili përcakton Qeverinë e Kosovës si pronare të 80 për qind të aksioneve të kombinatit, me synimin, siç thotë, të rikthimit të kontrollit në gjithë gjigantin.