Dy kryeministrat shqiptarë nuk kanë lënë as pa u përplasur mes vete sa i përket “Mini-Shengenit Ballkanik”
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë Edi Rama janë zotuar për bashkëpunim të mëtutjeshëm mes dy vendeve, por pas takimit që kanë pasur dje dy kryeministrat shqiptarë nuk kanë lënë as pa u përplasur mes vete sa i përket “Mini-Shengenit Ballkanik”. Gjithçka sipas planifikimit nuk ka shkuar as rreth takimit të paraparë mes Kurtit dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Meqë takimi mes tyre u anulua, nuk u mbajt fare as ceremonia e dhënies së “Çelësit të Tiranës” për kryeministrin Kurti, që ishte paraparë të ndodhte sipas agjendës, shkruan gazeta Zëri.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka realizuar vizitën e parë zyrtare në Tiranë, me ç’rast është takuar me krerët shtetërorë të Republikës së Shqipërisë. Pas këtyre takimeve u bë e ditur se qeveritë e të dyja vendeve janë dakorduar për intensifikimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka realizuar vizitën e parë zyrtare në Tiranë, me ç’rast është takuar me krerët shtetërorë të Republikës së Shqipërisë. Pas këtyre takimeve u bë e ditur se qeveritë e të dyja vendeve janë dakorduar për intensifikimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Gjatë një konference për medie, të mbajtur pas takimit me kryeministrin Edi Ramën, Kurti tha se do të formohet një komision ndërshtetëror, me qëllim që të zbatohen 77 marrëveshjet e nënshkruara mes të dyja vendeve deri më tani. Por ndonëse u dakorduan për bashkëpunim më të mirë mes dy vendeve, të dy kryeministrat shqiptarë u përplasën rreth “Mini-Shengenit Ballkanik”. Derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se prioritet do të jetë “Makro-Shengeni Shqiptar”, homologu i tij Rama tha se s’mund të ketë “Makro-Shengen Shqiptar” pa “Mini-Shengen Rajonal”. Kurti dje pati të planifikuar në agjendë edhe takimin me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliajn, por ky takim u anulua në minutat e fundit. Pas kësaj u tha se takimi Kurti – Veliaj është shtyrë për shkak të ndryshimit të agjendës së Kurtit. Ndërkohë i pari i Bashkisë së Tiranës ka deklaruar për medie se nuk e di arsyen e mosmbajtjes së këtij takimi.
Kurti e Rama dakordohen për bashkëpunim të mëtutjeshëm
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në vizitën e tij të parë zyrtare si kryeministër i vendit ka takuar homologun tij shqiptar Edi Ramën. Pas këtij takimi Kurti tha se janë dakorduar për bashkëpunim mes të dyja vendeve. Po ashtu ai theksoi se janë pajtuar për formimin e një komisioni ndërshtetëror për zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Shqipërinë. “U dakorduam të formojmë një komision ndërshtetëror, i përbërë edhe nga ministra, edhe nga deputetë, që ato 77 marrëveshje, të cilat janë nënshkruar deri më tani, të zbatohen, por edhe të shtohen marrëveshje të reja. Duam ta shtojmë bashkëpunimin duke thelluar dhe duke zgjeruar atë. Dua ta falënderoj Shqipërinë për ndihmën e pakursyer ndaj Kosovës. Kosova nuk do t’ia dilte me sukses karshi Serbisë në luftë, por po ashtu as në paqe pa Shqipërinë”, tha Kurti.
Shefi i ekzekutivit tha më tutje se Kosova e Shqipëria do të bashkëpunojnë në aspektin ekonomik, në fushën arsimit, të sigurisë e të politikës së jashtme.
Ndërkohë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se janë dakorduar për mbledhjen e radhës mes të dyja qeverive dhe se të dyja vendet duhet të punojnë për të pasur lëvizje të plotë të njerëzve dhe të mallrave ndërmjet dy vendeve. Sipas tij, është themelore që dy vendet të jenë të angazhuara në çdo hap për ta hequr kufirin mes dy shteteve. “Kemi pasur një komunikim të hapur, të rëndësishëm, për ku jemi dhe ku duam t’i çojmë marrëdhëniet tona, duke synuar një shpejtësi të re në drejtim të bashkëpunimit në të gjitha fushat dhe duke gjetur angazhim të plotë. Kemi rënë dakord t’i fillojmë menjëherë përgatitjet për mbledhjen e dy qeverive, e cila do të mbahet në Shkodër. Për ne bashkëpunimi me Kosovën mbetet prioritet”, ka thënë Rama.
Ndërkaq të pyetur për “Mini-Shengenin Ballkanik”, një nismë të cilën Prishtina zyrtare e ka refuzuar, duke mos marrë pjesë në asnjërën nga takimet e deritanishme rajonale, Kurti ka thënë se do t’i japin më shumë prioritet “Makro-Shengenit Shqiptar” sesa “Mini-Shengenit Ballkanik”. “Ky ishte takimi ynë i parë, ka edhe shumë tema dhe mund të them që kjo ishte një temë, të cilën e trajtuam shkurtimisht, meqenëse takimi ynë sot më shumë ishte le të themi për ‘Makro-Shengenin Shqiptar’ sesa për ‘Mini-Shengenin Ballkanik’”, është shprehur Kurti.
Ndërsa kryeministri Rama tha se “Makro-Shengeni Shqiptar” është i lidhur ngushtë me “Mini-Shengenin” dhe se s’mund të ketë “Makro-Shengen” pa “Mini-Shengen Ballkanik”. “Unë besoj se s’ka ‘Makro-Shengen Shqiptar’ pa ‘Mini-Shengen Ballkanik’. Besoj se ‘Makro-Shengeni Shqiptar’ është i lidhur ngushtë me ‘Shengenin Rajonal’, sepse ne jemi konsekuentë në vazhdën e procesit të Berlinit”, u shpreh Rama.
Meta: Kurti e ka shansin të jetë shembull i mirëqeverisjes në rajon
Edhe presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka pritur dje në një takim kryeministrin e ri të Kosovës, Albin Kurti. Pasi e uroi për marrjen e detyrës së kryeministrit, Meta i tha Kurtit se Qeveria e drejtuar nga ai i ka të gjitha mundësitë të jetë një shembull pozitiv i mirëqeverisjes në rajonin tonë. Ai vlerësoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë të shkëlqyera dhe vëllazërore. “Bashkëpunimi midis dy vendeve konsiderohet strategjik, stabilizues për rajonin dhe orientues për perspektivën euroatlantike. Duhet të konkretizojmë partneritetin strategjik me Kosovën, duke e bërë atë një model dhe inkurajim për bashkëpunimin rajonal”, ka thënë ai.
Meta dhe Kurti diskutuan rreth intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, rreth proceseve integruese të të dyja vendeve në Bashkimin Evropian, si dhe zhvillimeve në rajon. Presidenti Meta tha se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Në këtë kuadër janë të mirëpritura edhe përpjekjet e SHBA-së dhe të BE-së për rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces”, shtoi Meta.
Presidenti i Shqipërisë shprehu besimin e plotë se institucionet e Kosovës do të vijojnë të përfaqësojnë interesin më të mirë të Kosovës në dialogun me Serbinë. Ai inkurajoi gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë me partnerët strategjikë – SHBA-në, Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe me partnerët e tjerë, që kanë pasur një rol vendimtar në pavarësinë e Kosovës.
Ruçi: Qeveria e Kurtit do t’u bëjë ballë sfidave që e presin Kosovën
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dje gjatë vizitës së tij në Shqipëri u takua edhe me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi. Ruçi, duke e uruar Kurtin për postin e ri, tha se beson që nën udhëheqjen e tij Qeveria e Kosovës do t’u bëjë ballë sfidave të reja. “Nën lidershipin tuaj Qeveria e Kosovës do t’i përballojë me sukses sfidat e vështira të zhvillimit, të integrimit dhe të fuqizimit të rolit e kontributit të Kosovës si një faktor paqeje, sigurie e stabiliteti në rajon. Sakrificat tuaja si politikan konsekuent janë një garanci për realizimin e këtij misioni dhe vënien në jetë të programit ambicioz qeverisës”, ka deklaruar ai.
I pari i Qeverisë së Kosovës në vazhdën e takimeve gjatë vizitës së tij në Shqipëri ka takuar edhe kreun e opozitës, Lulzim Basha. Pas takimit kreu i PD-së, Lulzim Basha, tha se ka siguruar kryeministrin Kurti se kjo parti do të vazhdojë të ketë prioritet bashkëpunimin me Kosovën. “E sigurova se për PD-në dhe për opozitën prioritetet për bashkëpunim me Kosovën janë të qarta, ne do të bëjmë gjithçka për tregti të lirë, për të ndalur shpopullimin, që është produkt i korrupsionit dhe i kapjes së shtetit nga krimi i organizuar. Po ashtu mbështesim procesin e njohjes së Kosovës për vizat, për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtare. Qytetarët e Kosovës mund të mbështeten te ne për çdo ndihmë. Sot në opozitë dhe nesër në qeverisje”, deklaroi Basha.