Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, të hënën priti në takim të parin e Prishtinës Shpend Ahmeti me të cilin nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi në përkrahje të projekteve lokale të kësaj komune.
Për vitin 2019, komuna e Prishtinës nga MIT-ja me anë të nënshkrimit të kësaj marrëveshje, mori mbështetje financiare prej 1,083,591 euro për realizimin e dy projekteve të saja. Projekti i parë ka të bëjë me ndërtimin e rrugës A, i cili projekt për këtë vit përfiton 800,000 euro, ndërsa për dy vitet në vijim, janë planifikuar edhe gjashtë milionë euro, deri në përfundimin e kësaj rruge. Projekti i dytë që do të financohet nga MIT-ja, është ndërtimi i rrugës Rambaja – Hajvali, në vlerë prej 283,591 euro.
Ministri Lekaj, e siguroi kryetarin Ahmeti, se mbështetja e dikasterit që ai drejton nuk do të mungojë për kryeqytetin dhe se projektet pjesë e këtij memorandumi, janë të planifikuara në aspektin financiar deri në përfundimin e plotë të tyre.
Kryetari Ahmeti, duke e falënderuar ministrin Lekaj për mbështetje të këtyre projekteve me rëndësi për qytetin dhe qytetarët e Prishtinës, tha se komuna do të jetë e kujdesshme në realizimin e projekteve të financuara nga MIT-ja dhe se do të respektohen të gjitha parametrat teknike dhe afatet kohore të parapara për këto projekte.