Ministrat e ekstremit të djathtë braktisin Qeverinë e Austrisë

Prishtinë | 21 Maj 2019 | 08:53 | Nga Ekonomia Online

Partia e ekstremit të djathtë e Austrisë FPO tha se ministrat e saj do të largohen nga qeveria e koalicionit.

Kriza politike në Austri shpërtheu javën e kaluar, për shkak të një videoje që thuhet se tregon udhëheqësin e FPO-së, Heinz-Christian Strache, duke i ofruar kontrata një përfitueseje potenciale ruse, në këmbim të donacioneve politike.

Strache dha dorëheqje nga pozita e zëvendëskancelarit, ndërsa kancelari Sebastian Kurz i kërkoi presidentit të shkarkojë ministrin e Brendshëm, Herbert Kickl, po ashtu i partisë FPO, duke thënë se ai është pengesë për hetimet transparente të skandalit.

FPO u hakmor duke i tërhequr ministrat e tjerë nga qeveria dhe duke e lënë Kurzin pa ministër të Jashtëm, të Mbrojtjes, të Punës dhe të Infrastrukturës.

Presidenti i Austrisë, Alexander van der Bellen, kërkoi që zgjedhjet e parakohshme të mbahen në shtator.

Në videon e publikuar nga mediat gjermane, më 17 maj, gruaja flet rusisht dhe e identifikon veten si mbesa e një biznesmeni të pasur rus.

Një tjetër zyrtar i FPO-së duket duke përkthyer nga gjermanishtja në rusisht.

Takimi dyshohet se u zhvillua në ishullin spanjoll të Ibizës, në korrik të vitit 2017, tre muaj para zgjedhjeve që e sollën FPO-në në qeverinë e koalicionit dhe e bënë Strachen zëvendëskancelar.

Kremlini e mohoi përfshirjen në skandal.

“Kjo nuk ka të bëjë me Federatën Ruse, as me presidentin e saj, as me qeverinë e saj”, tha Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin.

“Ne nuk e dimë se kush është kjo grua, nëse ajo është ruse apo jo”, tha Peskov.

Në vitin 2016, FPO nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me partinë e Putinit, Rusia e Bashkuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme