Ministrat serbë braktisin Qeverinë, por mbajnë asetet shtetërore

Prishtinë | 30 Mar 2018 | 08:06 | Nga

Lista Serbe zyrtarisht ka bërë të ditur se ka larguar ministrat e saj nga Qeveria e Kosovës. Por, pas këtij shkurorëzimi, serbët nuk i kanë dorëzuar veturat zyrtare që i kanë në dispozicion, telefonat dhe numrat zyrtarë, kredit-kartelat dhe asetet e tjera shtetërore, shkruan sot Koha Ditore.

Në Qeveri nuk kanë qartësi për situatën. Vetë kryeministri Ramush Haradinaj beson se Lista edhe më tej i mban në ekzekutiv ministrat, ndërsa zëvendëskryeministri Dalibor Jevtiq, që i përket kësaj partie, të enjten ka qenë në mbledhjen e Qeverisë sa për të shprehur pikëpamjen e tij për aksionin policor të së hënës që çoi në arrestimin e Marko Gjuriqit, shkaku që kishte hyrë në Kosovë pa pasur lejen e Qeverisë. Ai la mbledhjen pasi përfundoi pika e rendit të ditës që kishte të bënte me fjalën e tij, ndërkaq nuk bëri të ditur aty nëse po e braktiste përfundimisht Qeverinë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se është ende herët për të dhënë konkluzione për situatën”, thuhet në një përgjigje të Zyrës së kryeministrit dhënë gazetës. “Besojmë që në ditët dhe javët e ardhshme do të ketë qartësime dhe opinioni do të njoftohet me kohë. Bën thirrje për dialog dhe gjithashtu vlerëson se ultimatumet janë qasje e gabuar”.

Të hënën zyrtari i Serbisë, Marko Gjuriq, është arrestuar tek ndodhej në një takim pune me përfaqësuesit serbë të Kosovës, përfshirë edhe anëtarët e Kabinetit qeveritar. Një ditë më vonë Lista Serbe kumtoi lajmin se tërhiqet nga Qeveria.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme