Ministrja në detyrë e Ministrisë së Administratës së Pushtetit Lokal, Emilija Redzepi, ministri në detyrë i Ministrisë së Shëndetësisë, Arben Vitia dhe zëvendës kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Xhafer Gashi, kanë mbajtur një takim koordinues me kryetarët e Komunave të Kosovës, me qëllim të prezantimit të masave të reja lidhur me pandeminë Covid-19.
Ministrja prezantoi të gjitha veprimet e ndërmarra nga ana e MAPL-së si autoritet mbikqyrës i komunave dhe si pikë koordinuese ndërmjet nivelit qendror dhe lokal.
Ministri Vitia potencoi se tani më ndodhemi në gjysmën e rrugës dhe duke marrë për bazë këshillat e ekspertëve, ne kemi përgatitur masat e reja lidhur me pandeminë COVID – 19, masa të cilat do t’ju prezantojë sot.
Më poshtë gjeni njoftimin e plotë:
Me ftesë të Ministres së MAPL-së znj. Emilija Redžepi dhe Ministrit të MSH-së z. Arben Vitia, si dhe në bashkëpunim të ngushtë me Asociacionin e Komunave të Kosovës të përfaqësuar nga zv.Kryetari dhe njëherit Kryetar i Komunës së Obiliqit z. Xhafer Gashi, është mbajtur takimi i përbashkët koordinues me kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës, me qëllim të prezantimit të masave të reja lidhur me pandeminë COVID – 19.
Ministrja Redžepi falënderoi kryetarët e komunave për angazhimin e tyre dhe përkushtimin e treguar që të jenë sa më afër qytetarëve me qëllim të menaxhimit të situatës, tejkalimit të sfidave dhe zbatimit të masave lidhur me pandeminë globale COVID – 19. Po ashtu, Ministrja prezantoi të gjitha veprimet e ndërmarra nga ana e MAPL-së si autoritet mbikqyrës i komunave dhe si pikë koordinuese ndërmjet nivelit qendror dhe lokal. Në këtë kontekst, të gjitha vendimet, masat dhe rekomandimet e marra nga niveli qendror u janë përcjell komunave me qëllim të informimit të tyre. Gjithashtu, në të gjitha vizitat e realizuara nëpër komunat e Kosovës, kemi evidentuar çdo nevojë të shfaqur nga komunat, për sa i përket sigurimit të tendave, furnizimit me material mbrojtës dhe higjienik, si dhe çështje të tjera të shfaqura.
Ministri Vitia në adresimin e tij përpara kryetarëve shprehi konsideratën më të thellë dhe falënderimin e tij për të gjitha komunat të cilat janë duke menaxhuar me situatën, si dhe për gatishmërinë e komunave për tu përgjigjur pozitivisht zbatimit të masave dhe rekomandimeve të Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve përgjegjëse të shëndetit publik. Gjithashtu, Ministri potencoi se tani më ndodhemi në gjysmën e rrugës dhe duke marrë për bazë këshillat e ekspertëve, ne kemi përgatitur masat e reja lidhur me pandeminë COVID – 19, masa të cilat do t’ju prezantoi sot. Këto masa do të fillojnë të zbatohen nga data 4 maj 2020, mirëpo kuptohet paraprakisht duke marrë parasysh edhe propozimet të cilat vijnë nga komunat.
Të pranishmëve iu adresua zv.Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, njëherit Kryetar i Komunës së Obiliqit z. Xhafer Gashi, i cili e falënderoi Ministren Redžepi, Ministrin Vitia dhe gjithë kryetarët e komunave për prezencën e tyre në këtë takim të rëndësishëm, për të diskutuar gjendjen aktuale, sfidat e shfaqura, zbatimin e masave dhe rekomandimeve të nivelit qendror, si dhe propozimet për masat e reja të cilat parashihen të hyjnë në fuqi nga data 4 maj 2020. Kryetari Gashi theksoi se komunat kanë arritur të menaxhojnë me sukses situatën e krijuar, duke marrë parasysh se përveç virusit corona COVID-19, komunat janë ballafaquar edhe me sfida të tjera, veçanërisht ato të sferës socio-ekonomike të cilat kanë shkaktuar probleme dhe ndalim të punës të të gjitha ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe bizneseve të ndryshme. Kryetari Gashi theksoi se do të marrë të gjitha propozimet e komunave lidhur me masat e reja dhe përmes një dokumenti të unifikuar, do t’i adresojmë tek Ministria e Shëndetësisë dhe grupi i ekspertëve.
Përgjatë takimit, kryetarët e komunave treguan sfidat e ndryshme me të cilat janë duke u ballafaquar komunat dhe për të cilat kërkohet zgjidhje të tyre. Në parim, pjesëmarrësit u pajtuan se bashkërisht duke i koordinuar të gjitha veprimet dhe duke i zbatuar masat, mund t’ia dalim për të minimizuar dhe tejkaluar këtë sfidë globale të pandemisë COVID-19.