Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, bashkë me grupin punues të përbërë nga ekspertët e ministrisë dhe Policia e Kosovës, të hënën, ka qenë në terren për t’i parë nga afër vendet ku është i nevojshëm intervenimi për ta rritur sigurinë e qytetarëve në komunikacion.
Ministri tha se grupi punues ka bërë evidentimin e disa akseve rrugore me rrezikshmëri dhe ka dhënë rekomandimet që të bëhet sanimi.
“Grupi punues është duke vazhduar evidentimin e akseve me rrezikshmëri dhe i kam marr rekomandimet me shkrim në vendet ku duhet të intervenohet. Deri më tani janë 11 rrugë që janë evidentuar se duhet të intervenohet dhe shumë shpejt do të nisin punimet. Ideja e themelimit të këtij grupi punues është që bashkë edhe me Policinë e Kosovës të punojmë në shpëtimin e jetës së njerëzve”, tha ministri Abrashi.
Abrashi tregoi se vëmendja kryesore është krijimi i sigurisë për këmbësorët dhe sidomos për nxënësit.
“Fokusi kryesor është siguria e nxënësve dhe po punojmë t’iu krijojmë kushte sa më të mira. Do të intervenojmë në mënyra të ndryshme, bazuar në rekomandimet e grupit punues”, tha ministri Abrashi.
Grupi punues është themeluar nga ministri Abrashi me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion, evidentimin e akseve të rrezikshme dhe ka qëllim uljen e aksidenteve me fatalitet. Puna e këtij grupi do të vazhdojë deri në evidentimin e të gjitha akseve që janë në përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës.