Ministri Bislimi sqaron pse një pjesë e punëtorëve të sektorit privat nuk u kompensuan të premten

Prishtinë | 05 Maj 2020 | 16:58 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka sqaruar opinionin lidhur me kompensimin e punëtorëve të sektorit privat për masën 3 të pakos fiskale emergjente.

Bislimi ka thënë se po e bën këtë sqarim për të evituar keqkuptimet që mund të rezultojnë nga titulli i një artikulli publikuar sot në medie “I lënë punëtorët pa rrogat e Qeverisë, pronarët aplikuan me llogari të bizneseve”.

SQARIMI I PLOTË:

Ministria e Financave ka pranuar përmes platformës së saj në Administratën Tatimore të Kosovës aplikime nga 26.422 biznese për kompensim me nga 170 euro për punëmarrësit e tyre. Numri i përgjithshëm i punëmarrësve është 126.000. Nga këto 26.422 biznese, vetëm 4.4% e tyre, ose 1.162 sosh kanë kërkuar kompensim në llogarinë e punëdhënësit (kjo për arsye se ata kanë dokumentuar që përkundër vështirësive, kanë paguar pagat e punëtorëve të tyre).

Një masë e punëtorëve i kanë marrë kompensimet ditën e premte, pjesa më e madhe i marrin sot. Ata të cilët nuk i kanë marrë ende mjetet i takojnë njërës nga kategoritë e mëposhtme:

1. Të dhënat janë ngarkuar gabimisht në sistem (për shembull kontabilisti që kryen shërbime për disa kompani, nga pakujdesi ka ngarkuar listat e gabuara të punëtorëve tek kompanitë përkatëse)

2. Janë supermarkete, barnatore apo furra të cilat kanë qenë hapur dhe megjithatë kanë ngarkuar pothuajse gjithë stafin e tyre për kompensim (në shumicën e rasteve është fjala për keqpërdorim, për shembull ka rrjet supermarketesh që ka qenë hapur gjithë kohën dhe megjithatë ka plotësuar kërkesë për kompensim të mbi 1.100 punëtorëve, dhe unë e kam ndaluar)

3. Kërkesa ka ardhur nga ndërmarrje publike apo shoqërore e cila është paraparë të përfitojë nga masa 4 e jo masa 3.

4. Kërkesa ka ardhur më vonë se tjerat dhe trajtohet në valën e dytë.

5. Ka të tillë që kanë aplikuar për kompensim më shumë se një herë që nuk është ideja e pakos (për shembull një kontabilist i papërgjegjshëm ka futur veten në listat e punëtorëve të hiq më pak se 23 bizneseve, dhe natyrisht që këso tendenca për keqpërdorime të pakos nuk do të lejohen).

Të ngjashme