Ministri britanik i Shëndetësisë: Do ta marr vaksinën drejtpërdrejt në televizion

Prishtinë | 02 Dhj 2020 | 11:17 | Nga Ekonomia Online

Ministri britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, ka thënë se do ta marrë vaksinën kundër koronavirusit drejtpërdrejtë në televizion.

Gjatë një emisioni të mëngjesit në televizionin ITV, prezantuesi Piers Morgan i sugjeroi ministrit një mënyrë për të dërguar porosi të fuqishme për popullsinë, tani që Britania u bë shteti i parë në Evropë që miratoi një vaksinë kundër koronavirusit. Sipas Morganit, ministri do të ishte mirë që të vaksinohej duke qenë në transmetim të drejtpërdrejtë në televizion.

Ministri Hancock nuk ngurroi që ta pranonte këtë propozim. “Po, do ta marra atë (vaksinën) me ty, Piers”, tha zyrtari i lartë i qeverisë britanike, shkruan BBC.

Prezantuesi tha se do të takohet me ministrin javën e ardhshme, nëse kanë mundësi. “Ta bëjmë së bashku, drejtpërdrejt. Do të ishte e fuqishme, do ta dërgonte mesazhin e duhur”, shtoi ai.

Ministri Hancock ia ktheu: “Ne na duhet miratimi për këtë, sepse, natyrisht, ka sistem prioritizimi sipas nevojave klinike, dhe, për fat të mirë, si burrë i shëndoshë i moshës së mesme, ti nuk je në krye të listës.”

Megjithatë, ai shtoi se është i gatshëm për t’u vaksinuar, nëse njerëzit mendojnë se kjo është e arsyeshme dhe nëse ndikon që të binden të tjerët për t’u vaksinuar. “Ia vlen”, tha ministri Hancock.

Të ngjashme