Sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt pritet që më 19 nëntor të vizitojë për herë të parë Iranin, për të diskutuar rreth paktit bërthamor që ka nënshkruar Teherani me fuqitë botërore.
Vizita e Hunt në Iran shënon edhe udhëtimin e parë të një ministri të Jashtëm nga Perëndimi, prej kur Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga marrëveshja bërthamore, e cila parasheh heqje të sanksioneve ndaj Iranit, në këmbim të frenimit të aktivitetit bërthamor.
Në raportin e fundit të Vëzhguesit të Kombeve të Bashkuara për Armë Bërthamore, është thënë se Irani është duke vepruar në përputhje me paktin e vitit 2015, pavarësisht pse Uashingtoni është tërhequr nga ai dhe ka vendosur valën e dytë të sanksioneve ndaj Teheranit më 4 nëntor.
Para nisjes së vizitës në Iran, Hunt ka thënë në një deklaratë se marrëveshja bërthamore është “element i rëndësishëm për stabilitet në Lindje të Mesme” dhe se Britania “do ta zbatojë atë për aq kohë sa edhe Irani do ta bëjë një gjë të tillë”.
Zyra e ministrit britanik ka bërë të ditur se Hunt do të takohet me homologun e tij iranian, Mohammad Javad Zarif dhe do të diskutojë përpjekjet evropiane që heqja e sanksioneve ndaj këtij shteti të vazhdojë.
Mirpo edhe Hunt ka thënë se Irani duhet t’iu japë fund atyre që presidenti amerikan, Donald Trump i ka cilësuar si “aktivitete të dëmshme”, siç janë zhvillimi i raketave bërthamore dhe mbështetja për grupet militante në Lindje të Mesme.
“Ne duhet të shohim dhënien fund të aktivitetit destabilizues të Iranit në rajon, nëse kërkojmë që të luftojmë rrënjët e pasojave me të cilat përballet rajoni”, ka thënë Hunt në një deklaratë.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka tërhequr SHBA-në nga ky pakt me arsyetimin se Irani ka shkelur “shpirtin dhe marrëveshjes” si dhe ka akuzuar po këtë shtet për aktivitete të dëmshme në rajon.