Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në disa aktivitete të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, i cili filloi sot në Ditën Ndërkombëtare të Pastrimit të Mjedisit dhe do të zgjasë tre muaj, pra deri më 15 dhjetor 2018.
Bytyqi, bashkë me drejtorin e e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj, ka vizituar shkollën “Faik Konica” në Prishtinë, ku nxënësit bashkë me mësimdhënësit e tyre po bënin pastrimin e ambientit përreth shkollës.
Me këtë rast, ministri Bytyqi theksoi se MAShT ka marrë vendim që këtij aksioni të rëndësishëm për pastrimin e Kosovës, t’i bashkohen edhe të gjitha shkollat në Kosovë.
Ministri theksoi se përveç këtij aktiviteti nëpër shkolla, MAShT do të jetë në kontakt edhe me drejtoritë komunale të arsimit dhe do të kërkojë që gjatë kësaj periudhe, por edhe më vonë, përveç mbajtjes pastër të ambientit nëpër shkolla, mësimdhënësit të diskutojnë më shumë me nxënësit për ruajtjen e ambientit dhe rëndësinë e mbajtjes pastër të mjedisit, në mënyrë që të ngritet vetëdijesimi te të rinjtë tanë.
“Besoj se të rinjtë tanë jo vetëm që do të jenë ruajtës të ambientit, por do të jenë edhe edukatorë për të tjerët për rëndësinë e mbajtjes pastër të ambientit”, tha ministri Bytyqi, pasi që shprehu besimin se kjo është një iniciativë shumë e nevojshme për vendin.
Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Jonuz Salihaj, ka kërkuar që për ruajtjen e mjedisit nxënësit të ketë programe të veçanta.
“Unë besoj që fillimi është i mbar, ne vetëm e gjetëm ambientin e pastruar. Besoj që kemi me u angazhuar të gjithë me e mbajt një Kosovë të pastër”.
“Po ajo çka oshte mas me rëndësi pasi që ministri është këtu. Që ta bëjm këtë kulturë të sjelljes të fëmijëve qoftë me programe të posaçme qoftë e korikulave shkollore në mënyrë që ta kultivojmë një ambient që me te vërtet i ka hije Kosovës”.
Drejtoresha e Shkollës “Faik Konica” në Prishtinë, Gjylie Bala, shpreson që aktivitete të tilla të organizohen edhe më shpesh në mënyrë që nxënësit të vetëdijesohen se duhet ta ruajnë mjedisin.
“Për ne vërtetë ishte një aktivitet i këndshëm. Ky aktivitet jashtë korikulave do të ndikojë që të kemi një ambient të pastër, të ngrimi vetëdijen. Shpresoj qa ta ruajmë ambientin dhe aktivitet të tilla praktikohen edhe më shpesh”.
Aksioni ka filluar në MAShT, ku ministri Bytyqi bashkë me zyrtarë të Ministrisë kanë pastruar hapësirën përreth këtij institucioni, ndërsa më pas Ministri ka marrë pjesë në hapjen e aksionit te deponia më e madhe ilegale në kryeqytet.