Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, në vazhdën e takimeve të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot kishte edhe disa takime të tjera, atë me Presidentin e Nova Virginia Community College, Dr. Scott Ralls dhe ekipin e tij, me eksperten për vlerësim të performancës së mësimdhënësve, znj. Elizabeth Ross, drejtorin menaxhues të Këshillit Kombëtar për cilësinë e mësimdhënies dhe me udhëheqësit e DC Public Schools Central Office.
“Gjatë takimit me Presidentin Ralls dhe stafin e tij të Nova Virginia Community College, si kolegji më i rëndësishëm në shtetin Virgjinia u njoftuam për punën e madhe që bëhet në këtë kolegj, identifikimin e nevojave të tregut të punës, për ndihmën dhe përkrahjen e studentëve dhe përgatitjen e tyre për këto programe”, ka shkruar Bytyqi, në faqen e tij në Facebook.
“Me presidentin Ralls diskutuam edhe për mundësitë e bashkëpunimit që studentët tanë nga Kosova të kenë mundësi të bëhen pjesë e këtij kolegji, e rreth kësaj presidenti Ralls shprehu gatishmërinë e tij të plotë për të bashkëpunuar rreth kësaj çështjeje”.
Nfërsa gjatë takimit tjetër me eksperten për vlerësim të performancës së mësimdhënësve, Elizabeth Ross, Bytyqi ka bërë të ditur se është njoftuar në hollësi për metodat, sfidat dhe praktikat që ndiqen gjatë procesit të vlerësimit të performancës së mësimdhënësve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Gjithashtu, znj. Ross e njoftuam se edhe në Kosovë jemi tashmë në fazën fillestare të procesit për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve dhe rreth kësaj ajo shprehu gatishmëri për të na dhënë përkrahje dhe për të na ndihmuar me praktikat më të mira dhe përvojën e tyre në këtë proces shumë të rëndësishëm për ngritjen e cilësisë në arsimin parauniversitar”.
“Ndërsa, në takim me udhëheqësit e shkollave publike, veç diskutimeve të shumta që kishim rreth arsimit parauniversitar në vendet përkatëse, në veçanti diskutuam dhe u njoftuam mbi organizimin e shkollave publike në arsimin parauniversitar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ministri i Arsimit.