Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, u ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së piktorit Zef Toçi.
Telegram ngushëllimi:
E nderuar familje Toçi,
Me pikëllim sot mora lajmin për ndarjen nga jeta të piktorit të njohur, Zef Toçi dhe ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta.
Sot vendi ynë ka humbur një person shumë të veçantë. Maestro Toçi ka qenë një prej artistëve që dha kontribut të lartë në kulturën tonë, veçanërisht në fushën e artit pamor, duke ngritur dhe jetësuar vlerat tona kombëtare për më shumë se gjysmë shekulli.
I diplomuar për pikturë në Akademinë e Arteve në Bruksel më 1972, tregoi talentin e tij duke u dekoruar medalje nga Mbretëria Belge.
Ai realizoi me sukses shumë ekspozita arti brenda dhe jashtë vendit. Duke jetuar dhe punuar në Prizren, me stilin surrealist në shprehësinë e tij artistike, piktori Toçi, kontribuoi në ngritjen e vlerave artistike të kulturës së Kosovës në përgjithësi. Ne do ta kujtojmë gjithmonë si shembull për punën, atdhedashurinë dhe mirësinë e tij. Ndërsa krijimtaria që ka lënë pas do tu shërbejë gjeneratave të tëra.
Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Zef Toçit.