Ministri Çeku i vendosur për renovimin e shtëpisë së Devës, ndërkombëtarët e rivlerësojnë rolin e vet

Prishtinë | 10 Shk 2022 | 18:27 | Nga Ekonomia Online

Pas dy ditësh polemika mbi figurën e Xhafer Devës, në shtëpinë e tij të vjetër në Mitrovicë është ndalur restaurimi. Pas shqetësimve të shprehura nga ambasadori gjerman, UNDP-ja tani do ta rivlerësojë rolin dhe kontributin e saj në restaurimin e këtij objekti, i cili për Ministrinë e Kulturës në Kosovë ka vlerë të jashtëzakonshme shoqërore, kulturore, historike dhe arkitektonike.

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë do ta rivlerësojë rolin e vet në restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, pasi të martën bashkë me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë thanë se projekti është pezulluar. Në një përgjigje për Gazetën Express, UNDP thotë se për këtë po flasin me të gjitha palët e përfshira në çështjen e restaurimit të shtëpisë së politikanit shqiptar, roli i të cilit gjatë Luftës së Dytë Botërore u bë temë tash, gati 44 vjet pas vdekjes së tij.

“Ne jemi në kontakt me të gjitha palët e përfshira dhe rivlerësojmë rolin dhe kontributin tonë, duke përfshirë mundësinë për ta përdorur polemikën aktuale si një mundësi në kohë për ta adresuar hapur të kaluarën përmes diskutimeve dhe konsultimeve të hapura me të gjitha komunitetet përkatëse”, thuhet në përgjigjen e UNDP.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, tha të mërkurën se nuk janë zbrapsur nga plani për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës. Këtë tha se ia ka sqaruar edhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili të hënën shprehu shqetësimin e tij për këtë çështje.

“Ne kemi nevojë ta përfundojmë këtë punë të nisur qysh vite më parë. Po restaurohet monumenti, nuk po rehabilitohet historia e Xhafer Devës. Pra, nuk po bëjmë asgjë, përveçse po e restaurojmë një monument, po e mbrojmë trashëgiminë tonë kulturore”, tha Çeku.

Shefi i misionit diplomatik të Gjermanisë në Kosovë e quajti Xhafer Devën bashkëpunëtor të ngushtë të nazistëve, duke bërë thirrje që të mos shtrembërohet e vërteta lidhur me Holokaustin, gjenocidin e Gjermanisë naziste mbi hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës, të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas”, shkroi Rohde në Twitter.

Restaurimi kishte nisur më 1 shkurt, për t’u pezulluar më pas këtë të martë.

Kjo punë nisi në kuadër të programit “Trashëgimia kulturore si nxitës për dialogun ndër-komunitar dhe kohezionin social”, i cili bashkëfinancohet nga Zyra e Instrumenti për Stabilitet dhe Paqe i BE-së dhe, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Implementimi bëhet nga UNDP-ja.

Të ngjashme