Ministri Çeku në Gjilan, jep lajmin për zgjidhjen e ngërçit të ndërtimit të Stadiumit të qytetit

Prishtinë | 14 Sht 2022 | 14:32 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka vizituar komunën e Gjilanit dhe është pritur nga kryetari Alban Hyseni.

Çeku ka thënë se tashmë janë në fazën e fundit të zgjidhjes së ngërçit për stadiumin e qytetit.

“Sa i përket stadiumit, tashmë kemi hyrë në fazën e zgjidhjes së këtij ngërçi afatgjatë, fatkeqësisht. Kemi filluar fazën e hartimit të projektit për fazën përfundimtare të ndërtimit të stadiumit të qytetit, i cili përfundimisht na e nxjerr koston, rrugën dhe na tregon kohën që na duhet për ta realizuar përfundimisht këtë investim shumë të rëndësishëm, jo vetëm për Gjilanin, sepse një stadium i këtillë i duhet edhe Kosovës, sidomos për garat ndërkombëtare. Është interes kombëtar që ta kemi të përfunduar këtë stadium në kohën më optimale me standardet e përmbushura ndërkombëtare”, tha ai.

“Ky projekt nuk ka ekzistuar asnjëherë sepse është punuar me faza më herët dhe asnjëherë nuk ka pasur projekt përfundimtar. Në momentin që e kemi projektin profesional me të gjitha standardet, do të kalojmë në kontraktimin e punimeve dhe do të bëjmë më të mirën që brenda kohës më optimale, në bashkëpunim me kryetarin e Komunës, të vazhdojmë ta trajtojmë me shumë prioritet përfundimin e punimeve në stadiumin e Gjilanit”, ka shtuar ministri Çeku. 

Ministri i MKRS-së ka thënë po e shqyrtojnë mundësinë e mbështetjen edhe ndaj nismës së Komunës për projektin ‘xhepat e gjelbër të lagjeve’, për të bashkëfinancuar ndërtimin e fasciliteteve sportive dhe kulturore, por edhe për projektin tjetër të Komunës për Qendrën e Kulturës, derisa ka dhënë zotimin për bashkëfinancimin edhe të manifestimit kultutor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2023”.

Në fund, ministri Çeku tha se nga kryetari Hyseni ka kërkuar lokacion të përshtatshëm për ndërtimin e palestrës së xhudos dhe për ndërtimin e një shtëpie të shahut.

“Tashmë kryetari Hyseni është në komunikim edhe me federatat përkatëse dhe në momentin që i kemi lokacionet, ne do t’i nisim procedura për ndërtimin e këtyre palestrave të reja, një për xhudon e një për shahun”, ka përfunduar ministri Çeku.

Të ngjashme